Militantët e PD nisin festën në sheshe, apeli i Uidhers: Prisni të mbarojë numërimi
Qindra përkrahës të Partisë Demokratike festojnë deri në orët e para të mëngjesit fitoren e kësaj force politike në zgjedhjet e 28 qershorit. Megjithëse deri rreth orës 03:00 kishte vetëm rezultate të pjesshme dhe pavarësisht deklaratave të Kryeministrit Berisha për ruajtjen e qetësisë, mbështetësit e kësaj partie nuk kanë pritur gjatë për të mbushur Sheshin “Skënderbej” dhe rrugët kryesore të kryeqytetit. Për herë të fundit një festë të tillë e kishin bërë katër vjet më parë, kur PD-ja mori pushtetin pas tetë vitesh në opozitë.
Berisha
Pak minuta para mbylljes së kutive të votimit, Kryeministri Berisha ka vlerësuar në një konferencë për shtyp procesin elektoral, duke u shprehur se pas këtyre zgjedhjeve nuk ka të humbur, por vetëm të fituar. “Dal para jush për të falënderuar gjithë përfaqësuesit e të gjitha forcave politike, të cilët menaxhuan sot, të paktën, sipas të dhënave të deritanishme, një proces zgjedhor dinjitoz. Menaxhuan atë në tërësi, me frymën e një bashkëpunimi luajal bazuar në ligjin konsensual të miratuar nga parlamenti shqiptar”, tha Berisha. Ai u kërkoi qytetarëve të ndjekin rezultatet me maturi, teksa shtoi se nëse do të humbasë do të urojë kundërshtarin e tij politik, Edi Rama. “Në rast se më takon mua t’i telefonoj, unë do ta bëj, do ta telefonoj. E kam vendosur”, u shpreh Kryeministri Berisha. Më pas kreu i qeverisë është mbyllur në zyrën e tij, ku ka nisur të komunikojë me të gjitha qarqet dhe ka marrë informacionet e para nga procesi i numërimit të votave.
Atmosfera
Por megjithëse Kryeministri Berisha ka bërë thirrje për qetësi dhe maturi, përkrahësit e Partisë Demokratike nisën rreth orës 20:00 të mbipopullojnë sheshin përpara selisë blu dhe të nisin festën. Një ekran i madh i vendosur përballë godinës së kësaj partie, i vinte në ndihmë dhjetëra përkrahësve të informoheshin në kohë reale për procesin, ndërkohë që entuziazmin e tyre e shtoi përsëritja e rezultateve të exit polit, të bërë nga Instituti Humanistik “Gani Bobi”, i cili i jepte Partisë Demokratike 76 deputetë dhe Partisë Socialiste 60 deputetë. Kaq ka mjaftuar që militantët e partisë në pushtet të nisin festën, fillimisht pranë selisë dhe më pas të shpërndahen në qendër të Tiranës. Rreth orës 22:00 Bulevardi pranë Sheshit “Skënderbej” u bllokua nga numri i madh i makinave, të cilat mbanin flamuj blu, kuq e zi por edhe ata të Bashkimit Evropian. Festimet kanë vazhduar deri rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, ku u mësua se vetëm gjatë mesditës do të ketë një rezultat paraprak mbi zgjedhjet e ditës së djeshme. Megjithëse pranë selisë blu vihej re një numër i madh qytetarësh, ndryshe nga katër vjet më parë, Kryeministri Sali Berisha nuk ka dalë për t’i përshëndetur, por është mjaftuar vetëm me dy dalje publike, gjatë gjithë ditës, për t’i lënë në këtë mënyrë kohë shpalljes së rezultateve.