E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Berisha ti mbajë duart larg nga prekja e votave të 28 qershorit”



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim me përkrahës të LSI-së në Pallatin e Sportit të qytetit të Elbasanit. Gjatë këtij takimi Meta u shpreh i sigurt në suksesin historik të forcës që ai drejton në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë fjalës së tij Meta u fokusua te shqetësimet që vijnë për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si rezultat i ecurisë problematike të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. “Të gjitha këto nuk janë probleme të reja, por janë shqetësime që ne i ngritëm të parët, sepse kjo ishte arsyeja përse ne i kërkonim vazhdimisht të dyja partive të tjera që të bëhej Kodi Zgjedhor në kohën e duhur, që të bëhej në mënyrë transparente, që të kishim kohën e duhur për të plotësuar të gjitha standardet e kërkuara për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë dhe kartat e identitetit. Koha tregoi se shqetësimet tona ishin të drejta. Koha tregoi se ata që u mburrën para një viti se do të bënin reforma të mëdha me Berishën, sot kanë po aq përgjegjësi për Kodin që bënë kundër standardeve për zgjedhje të ndershme dhe të lira. Sepse, u shpreh ai, zgjedhjet nuk mund të jenë pronë as e dy partive dhe as e të gjitha partive; zgjedhje janë dhe duhet të jenë prona më e shenjtë e çdo qytetari shqiptar që të vendosë me vullnet të lirë për fatin e tij dhe të fëmijëve të tij”, - tha Meta. Kreu i LSI-së ftoi të gjitha forcat politike dhe në radhë të parë kryeministrin Berisha që të mos i prekë zgjedhjet e 28 qershorit. “Ne nuk do ta lejojmë, sepse ai e ka bërë njëherë këtë gabim të rëndë me pasoja tragjike në ‘96-’97-n, sepse sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka për detyrë të garantojë zgjedhje të ndershme dhe të lira jo vetëm për hir të së ardhmes së vet, por edhe si një detyrim të madh që bënë NATO-ja dhe SHBA-të në nderim të përkrahjes dhe besnikërisë që populli shqiptar i ka dhënë gjithmonë NATO-s në Ballkan dhe luftës kundër terrorizmit”, - tha Meta.

18 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›