Qeveria bën gati kompensimin financiar të pronarëve para zgjedhjeve
Fondi prej 600 milionë lekësh do t’u jepet ish-pronarëve para zgjedhjeve. Agjencia e Pronave dhe Ministria e Drejtësisë po hartojnë projektvendimin
Eljona Ballhysa
Këshilli i Ministrave pritet të miratojë së shpejti projektvendimin për shpërndarjen e fondit prej 600 milionë lekësh ish-pronarëve. Burime nga Agjencia e Pronave kanë bërë të ditur se qeveria e ka në plan të kompensojë financiarisht ish-pronarët, me fondin e miratuar për vitin 2009, para zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë që para zgjedhjeve është premtuar të përfundojë dhe procesi i pajisjes së qytetarëve me lejen e legalizimit për ndërtimet informale.
Ekspertët e Agjencisë së pronave dhe ata të Ministrisë së Drejtësisë kanë punuar dhe kanë gati projektvendimin për procedurat e kompensimit, i cili pritet të miratohet shumë shpejt nga Këshilli i Ministrave. Sipas burimeve, pritet që procedurat e kompensimit financiar të jenë të njëjta me ato të ndjekura gjatë shpërndarjes së fondit të parashikuar për vitin 2008.
Procedurat
Sipas procedurave kryesore që janë ndjekur gjatë viteve të fundit parashikohet që të përfitojnë për vitin 2009 ish-pronarët, prona e të cilëve është njohur për kompensim nga Komiteti i atëhershëm i Kthimit dhe Kompensimit të Pronarëve dhe që nuk kanë përfituar më parë. Kjo shtresë kompensohet në bazë të radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij, sipas viteve. Në bazë të vendimit të qeverisë, ish-pronarët përfitojnë kompensim financiar vetëm për 200 metra katrorë të sipërfaqes së caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet.
Procedurat gjithmonë fillojnë me vendimin e Këshillit të Ministrave, ku përveç procedurave të përzgjedhjes se si do të shpërndahet fondi, do të përcaktohet edhe afati i pranimit të kërkesave, ku lihet në dispozicion një afat i caktuar për depozitimin e tyre. Numri i subjekteve që do të përfitojnë varet nga fakti se sa persona do të depozitojnë kërkesat e tyre dhe vlefshmëria e dokumentacionit që do të dorëzojnë.
Riaplikimet
Burime nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bëjnë të ditur se të gjithë personat që kanë aplikuar, por që pas publikimit të listës së fituesve kanë rezultuar jofitues për shkak të fondit të kufizuar për 2008-n, duhet të riaplikojnë sërish menjëherë pas daljes së vendimit të ri të Këshillit të Ministrave. Ekspertët e AKKP-së kanë pohuar se me daljen e vendimit të ri të qeverisë për procedurat e shpërndarjes së fondit të kompensimit financiar të vitit 2009, kjo shtresë duhet të paraqesë pranë AKKP-së vetëm kërkesën dhe deklaratën me shkrim. Këta të fundit do të përfshihen sërish në garën e verifikimit, pa pasur nevojë që ta dorëzojnë sërish dosjen të plotë, sepse tashmë ajo disponohet nga vetë Agjencia. Gjithashtu, është përcaktuar që këta persona të përjashtohen edhe nga detyrimi për të paguar tarifën e aplikimit, duke qenë se ajo është ezauruar një herë në fazën e vitit të kaluar. Ndërkaq, të gjithë ata që aplikuan për vitin 2008, por rezultuan me gabime në hartat përkatëse, duhet të drejtohen në zyrat e AKKP-së për të bërë korrigjimet e mundshme dhe për t’u rifutur në aplikimin për këtë vit.
Kriteret kryesore
- Fondi i kompensimit për vitin 2009 është 600 milionë lekë
- Të parët do të renditen subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është e njohur e gjitha për kompensim dhe që nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme
- Kompensohen sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij, sipas viteve
- Kompensimi do të bëhet vetëm për 200 metra katrorë të sipërfaqes së caktuar për kompensim
- Të gjithë jofituesit, për shkak të fondit të kufizuar për 2008-n, duhet të riaplikojnë sërish menjëherë pas daljes së vendimit të ri
18 Prill 2009