E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takon kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Italisë: “Drejtësia ka nevojë për pavarësi të plotë”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim pune në ambientet e Pallatit të Brigadave me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës italiane, Françesko Amirante dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Gjatë takimit, presidenti Topi, pasi përshkroi reformat e ndërmarra në vend, si në Gjyqësor, reformën zgjedhore, të miratuara me një konsensus të gjerë politik, vlerësoi ndihmesën dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit fqinj, Italisë, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe përparimin drejt integrimit në gjirin e familjes së madhe europiane. Kreu i shtetit, duke nënvizuar rëndësinë që ka pavarësia dhe paanshmëria e pushtetit gjyqësor dhe institucionet e tij në vendin tonë, si dhe puna dhe profesionalizmi i juristëve, të cilët, duke kryer me dinjitet dhe vërtetësi detyrat institucionale, kontribuojnë thellësisht në forcimin e shtetit të së drejtës, vlerësoi gjithashtu kontributin dhe përvojën e institucioneve gjyqësore italiane në reformimin dhe përmirësimin e Drejtësisë shqiptare. Në vijim të bisedës, me cilësinë e kryetarit të KLD-së, presidenti Topi vuri në dukje se në kuadër të përmbushjes së aspiratës së integrimit të Shqipërisë në familjen europiane, zbatimi rigoroz i Kushtetutës dhe ligjeve nga institucionet gjyqësore në vend është një detyrim përparësor dhe se shteti dhe institucionet shqiptare janë të angazhuara maksimalisht në këtë drejtim, në mënyrë që të rrisin besimin te shqiptarët në sistemin e drejtësisë.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës italiane, Françesko Amirante, në emër edhe të delegacionit që e shoqëron, shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi dhe garantoi përkrahje e mbështetje maksimale në forcimin e sistemit të drejtësisë shqiptare. Amirante vlerësoi lart rolin dhe kontributin e presidentit Topi dhe punën e madhe të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë procesit të reformimit gjyqësor në vendin tonë dhe përparimet e shënuara jo vetëm në dhënien e drejtësisë, por edhe në rritjen e besimit në sistemin gjyqësor, duke theksuar që njerëzit e Drejtësisë kanë gjithmonë nevojë për më tepër inkurajim dhe mbështetje në vendosjen përfundimtare të shtetit ligjor dhe sigurimin e pavarësisë së plotë të tij.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Italisë në vendin tonë, zoti Saba D’Elia, si dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Vladimir Kristo.

18 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›