E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Buxheti i Berishës, asnjë qindarkë për krizën që mund të vijë

 

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, e cilësoi projektbuxhetin e vitit të ardhshëm një lajm të keq për të gjithë shqiptarët. Gjatë një konference për shtyp, për të analizuar zërat e ndryshëm në këtë projektbuxhet, por dhe krizën ekonomike botërore, Meta tha se qeveria nuk ka parashikuar asnjë masë lehtësuese për shqiptarët për përballimin e kësaj krize globale. “Jemi të shqetësuar se qeveria nuk e ka kuptuar që bota është zhytur në një krizë financiare që po kthehet në një krizë ekonomike. Nuk mund ta shpjegojmë që në një kohë kur FMN-ja parashikon botën të jetë në një krizë në 2009-ën, Qeveria Berisha nuk parashikon asnjë qindarkë për t’i ndihmuar shqiptarët në rast se kriza botërore financiare kthehet në një krizë bankare në Shqipëri”, tha Meta. Kreu i LSI-së shprehu shqetësim gjithashtu edhe për uljen e të ardhurave dhe rritjen e shpenzimeve në buxhetin e vitit të ardhshëm. “Nuk kemi rritje të të ardhurave si përqindje ndaj PBB, por kemi rritje të shpenzimeve, duke çuar deficitin buxhetor rrezikshëm në nivelet e 5.3% të PBB. Shpenzimet operative të një qeverie që thotë se është në dietë, rriten 26% krahasuar me 2008-ën. Kjo nuk është një qeveri në dietë, por një qeveri që kërkon t’i japë më shumë dieta, shpenzime karburanti apo makina të reja zyrtarëve që do të angazhohen në fushatë elektorale”, u shpreh Meta. Në lidhje me taksat, Meta tha se “shteti dhe gjatë 2009-ës parashikon një sistem të centralizuar dhune të organeve tatimore mbi tatim-paguesit. Do të vazhdojë parapagimi i dhunshëm i tatim-fitimit, referencat e dhunshme të pagave dhe numrit të punonjësve, dhe favoret selektive për bizneset që punojnë dhe janë pranë qeverisë”. Kreu i LSI-së e cilësoi pjesë të fushatës elektorale rritjen e pensioneve një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme 2009. Meta tha se LSI nga ana e saj do të bëjë propozimet e veta për të ndryshuar projekt-buxhetin e qeverisë. “Nuk duhet të ulim taksat për disa dhe jo për shumicën duke shkatërruar skemën e pensioneve dhe rrezikuar stabilitetin makroekonomik. Nuk duhet të shtrydhim në mënyrë të dhunshme biznesin nëpërmjet referencave në një kohë krize globale. Duhet të jemi të përgatitur më mirë për të përballuar krizën, duke spostuar shumicën e shpenzimeve për 6-mujorin e dytë të vitit 2009”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›