Meta: Debati Nano-Berisha është i shterpët
09/06/2005 Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka ripërsëritur kërkesën për të zhvilluar një debat me Nanon dhe Berishën. Sipas kreut të LSI-së, në debatin Nano-Meta-Berisha shqiptarët do të kuptojnë se përfundimisht dy liderat e PS dhe PD janë politikanë të moshës së tretë, dhe nuk kanë asnjë shans tjetër pas 3 korrikut, përveç pensionimit politik. Meta i është drejtuar Nanos dhe Berishës për të mos iu shmangur debatit me të dhe me LSI-në. “Debati Nano-Berisha është një debat shterpë dhe nuk sjell më asgjë të re. Koha e politikës bipolare në Shqipëri ka mbaruar dhe LSI është garanci për këtë”, tha Meta. Gjatë një mitingu të zhvilluar në sheshin kryesor të qytetit të Lezhës, Meta ka prezantuar kandidatët për deputetë, Viktor Tusha dhe Novruz Bara. Ndërkohë që Meta u ka kërkuar qytetarëve të kësaj zone që të votojnë për alternativën e LSI-së “për ta shpëtuar Shqipërinë nga pengmarrja e Nano-Berishës. Kjo është rruga, që Lezha të mos përmbytet më nga korrupsioni me fondet publike, që turizmi në Lezhë të mos zhvillohet në kushte primitive, që bujqësia të mos mbetet më viktimë e monopoleve dhe harresës qeveritare dhe që papunësia të mos vijë duke u rritur”, tha Meta.