Meta: Dikush kërkon të eksperimentojë me shtetin
Zëvendëskryeministri Ilir Meta e konsideron kreun e opozitës, Edi Rama, si përgjegjës për krizën politike në vend. Pak minuta pas komunikimit të Ramës me mediat, u përgjigj ministri i Jashtëm, Meta, duke i kërkuar Ramës që të jetë më i përgjegjshëm. “Unë mendoj se kryetari i PS-së duhet të jetë më i përgjegjshëm për këtë situatë pasi, për fat të keq ai kërkon t’ua faturojë të tjerëve, për fat të keq edhe vendit, një përgjegjësi ekskluzive të tij. është e lehtë të thuash se duhet të çlirohemi nga ky sistem zgjedhor, ndërkohë që të gjithë e dimë se arkitekti i këtij sistemi, arkitekti i këtij kodi, arkitekti i këtij administrimi, ishte në radhë të parë vetë z. Rama”, tha Meta. Në qoftë se dikush këtu, vijoi ai, dëshiron të bëjë një eksperiment i cili në thelb synon falimentimin e shtetit ligjor dhe sistemit kushtetues në vend, e ka shumë gabim. “Le të hapë një herë kutitë në vendin e tij dhe pastaj le t’a bëjë këtu. Sepse Shqipëria nuk është vend eksperimentesh. është pikërisht ky shtet dhe sistem ligjor, i krijuar me kaq vështirësi dhe sakrifica për të arritur në këtë stad ku jemi sot, që na ka bërë anëtarë të NATO-s dhe që na ka futur në një fazë të re zhvillimi dhe integrimi në raport me vendet e BE-së”, u shpreh Meta. Ai shprehu keqardhjen që kreu i opozitës, në vend të bashkëpunojë me z. Berisha, si dhe me Presidentin Topi që ka iniciuar një tryezë bashkëbisedimi kalon në frymëzime kaotike dhe anarkiste që nuk kanë asnjë lidhje me një vend demokratik, asnjë lidhje me një vend i cili është anëtar i NATO-s apo me një vend që synon të bëhet anëtar i BE-së. Referuar kushtit të hapjes së kutive, Meta tha se s’ka asnjë vend në të gjithë bashkimin evropian ku janë hapur kuti votimit pasi ka një vendim të gjykatave për to. “Deklarata e z. Rama është shumë e gabuar sepse për herë të parë në Shqipëri, zgjedhjet u bënë si asnjë herë tjetër nga një kolegj zgjedhor i cili u pranua si gjykata supreme nga z. Rama dhe z. Berisha. Dhe për herë të parë, anëtarët e këtij Kolegji Zgjedhor ishin gjykatësit të cilët u zgjodhën me konsensusin e plotë të z. Rama. Pra, të mos pranosh as gjykatën që e zgjedh vetë paraprakisht, dhe në fund fare, kur vendimet e saj nuk përkojnë me interesin personal të z. Rama, ky është një qëndrim që jo vetëm nuk është parimor por as edhe konstruktiv”, theksoi Meta. Pas këtyre deklaratave të Metës reagoi selia rozë përmes deputetes Ermonela Felaj. “çfarë turpi për Shqipërinë, ky ministër i Jashtëm që fyen inteligjencën e shqiptarëve, duke folur përditë broçkulla në prehrin e Sali Berishës. Por këto broçkulla nuk na ndalin, vetëm na bindin më shumë në drejtësinë e betejës tonë. Pa kutitë ka vetëm protesta për largimin e qeverisë”, tha ajo.
#