Atentati në Vlorë, shoqërohen gjashtë
Policia e Vlorës ka shoqëruar gjashtë persona që dyshohet se kanë lidhje me atentatin e dështuar ndaj deputetit socialist Eltar Deda, i cili është edhe kryetar i degës së PS-së së Vlorës. Hetimet për këtë ngjarje kanë vijuar me intensitet edhe dje, por mësohet se nuk ka ende prova të mjaftueshme për të vënë gishtin mbi personat që vendosën bomba me benzinë në makinën e zyrtarit të PS-së. Ajo çka kanë në dorë deri tani hetuesit janë gjurmët e gishtërinjve, të cilat janë dërguar në Tiranë për t’u krahasuar me ato të personave të dyshuar. Burime nga Prokuroria e Vlorës bënë të ditur se deri tani janë shoqëruar në polici dhe janë marrë në pyetje gjashtë persona, të cilët mendohet se kanë lidhje apo kanë dijeni për ngjarjen.
Ndërkohë që policia dhe prokuroria vazhdojnë hetimet, ngjarja ka pasur dje edhe zhvillimet e saj politike. Dega e PS-së së Vlorës ka dalë dje me një deklaratë, me anë të së cilës dënon aktin e rëndë, si dhe sjell në vëmendje të opinionit publik, se ky është rasti i dytë brenda një muaji, kur eksponentë të PS-së së Vlorës bien pre e akteve kriminale. Socialistët e Vlorës kanë akuzuar Kryeministrin Berisha si nxitës të dhunës ndaj opozitarëve - “klimën e qetë dhe të bashkëpunimit e prishi Sali Berisha me deklaratat e tij kërcënuese dhe kriminale, për shkulje dhëmbësh dhe nofullash...”. Në këtë deklaratë i bëhet thirrje gjithashtu Partisë Demokratike dhe forcave të tjera politike të distancohen dhe të dënojnë aktin kriminal ndaj deputetit dhe kryetarit të Partisë Socialiste të Vlorës, Eltar Deda.
I shpejtë ka qenë reagimi i demokratëve vlonjatë, të cilët me anë të një deklarate kanë dënuar sulmin ndaj deputetit socialist. “Partia Demokratike, dega Vlorë, dënon ngjarjen e ndodhur dje, ku kryetari lokal i Partisë Socialiste, Eltar Deda, u përfshi në një akt papërgjegjshmërie të individëve ende të paidentifikuar. Partia Demokratike, dega Vlorë, inkurajon organet e drejtësisë dhe policisë, që me profesionalizmin e përhershëm e përkushtimin maksimal të zbardhin këtë ngjarje”, thuhet në deklaratën e demokratëve, ndërkohë që nuk lihen pa përgjigje edhe akuzat ndaj Sali Berishës. “Shprehim keqardhjen tonë për deklaratën e bërë nga selia rozë e Vlorës, ku edhe në këtë rast të paqartë e të amullt, në përsiatjet e muajve të fundit, vazhdojnë të kërkojnë që edhe këtë ngjarje akoma të pazbardhur ta politizojnë duke mos kontribuar në krijimin e një klime të paqtë politike”, thuhet në deklaratë.
#