E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do të mbledhim firma në popull për referendumin

Në pamundësi për të siguruar firmat e 28 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, LSI i është drejtuar popullit për çështjen e referendumit. Kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, deklaroi dje se deputetët kanë qenë nën presion të liderit socialist Edi Rama për të mos firmosur. Kushtetuta parashikon minimumi 50 mijë firma zgjedhësish që të kërkohet një referendum. Tentativa e dytë e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të konkretizohet këtë javë.

Meta

Kreu i LSI-së u shpreh se ka vënë re një presion ndaj deputetëve për shkak të kapjes nga ana e Kryeministrit Sali Berisha, në radhë të parë, por edhe e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të PS, në radhë të dytë. "Meqenëse këta deputetë e kanë humbur lirinë dhe personalitetin e tyre, dhe sikurse të gjithë e dinë, që kanë nisur të gjykojnë dhe arsyetojnë vetëm ekonomikisht dhe jo politikisht e shqiptarisht, ne do t‘i drejtohemi popullit shqiptar për të mbrojtur lirinë e tij, për të mbrojtur sovranitetin e tij", theksoi Meta. Për këtë arsye, shtoi ai, bazuar në nenin 150 të Kushtetutës, te pjesa e 11 për referendumet, ne do të mbledhim jo 50 mijë firma të shtetasve shqiptarë që kanë të drejtë vote, por do të mbledhim minimumi 500 mijë deklarata noteriale të qytetarëve shqiptarë. Meta sqaroi se mbledhja e këtyre deklaratave noteriale do të zhvillohet në të gjithë qytetet e në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, por do të zhvillohet edhe në Greqi, Itali, në Shtetet e Bashkuara, në Britaninë e Madhe, në Belgjikë, në Kanada. "Mbledhja e këtyre firmave do të nisë pikërisht këtë javë, në 10 maj, në sheshin ‘Skënderbej‘, për të vazhduar në të gjithë Shqipërinë në një fushatë të pandërprerë", premtoi Meta. Duke u angazhuar edhe për krijimin e një Komiteti Kombëtar në mbrojtje të lirisë dhe sovranitetit të popullit shqiptar. "Ne kemi kohë që kemi ftuar lidershipin aktual të Partisë Socialiste për të reflektuar, për të mos tradhtuar vetë historinë e asaj partie", u shpreh Meta. I pyetur nëse do t‘i bashkohet kësaj nisme ish-kryeministri Fatos Nano, Meta tha se "nuk e di. Kushdo do të jetë i mirëpritur". Meta nënvizoi faktin se socialistët evropianë kanë qenë mbrojtës kryesorë të demokracisë në Shqipëri gjatë sundimit autoritarist nga ana e ish-presidentit Berisha. Ndërsa u ndal te prononcimi i fundit që ka bërë kryetari i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Evropian, Martin Shulz, dy ditë më parë.

Kushtetuta

Neni 150 i Kushtetutës përcakton që populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t‘i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një të pestës së deputetëve, ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj. Në nenin 152 thuhet se Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum sipas nenit 150, paragrafët 1 e 2, nenit 151 paragrafët 2 e 3, si dhe sipas nenit 177, paragrafët 4 e 5 brenda 60 ditëve. Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese, ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej. Ligji i miratuar me referendum shpallet nga Presidenti i Republikës. Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë, nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›