E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Turizmi, Shqipëria është e prapambetur

Turizmi shqiptar zë vendin e 92 nga 130 vende të analizuara, sipas studimit të fundit të Forumit Ekonomik Botëror për vitin 2008. Në të njëjtën listë, fqinji ynë bregdetar, Mali i Zi, renditet në vendin e 59, ndërsa Greqia në vendin e 22. Partia Socialiste vlerësoi dje se turizmi shqiptar është larg parametrave të kërkuar, në një kohë kur pushuesit e huaj, por gjithmonë e më shumë dhe ata vendas, kanë mundësinë e zgjedhjes së lirë në një treg konkurrues gjithmonë e më të hapur. "Sot është koha që "euforia e turistit" t‘ia lerë vendin realitetit të një qeverisjeje me këmbë në tokë", tha Ervin Bushati, nënsekretar për programin. Partia Socialiste në programin e saj qeverisës do të ketë prioritet turizmin dhe rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, në kushtet e një konkurrencë të fortë rajonale, nëpërmjet politikave dhe strategjive reale. Analiza e saktë ndërkombëtare jep mundësinë për një optikë krahasuese të gjendjes së turizmit në vendin tonë. Kjo arrihet nëpërmjet studimit të kujdesshëm të disa faktorëve dhe politikave të kombinuara si: infrastrukturë, burime natyrore dhe njerëzore, siguri, higjienë, ligje dhe politika turistike etj. Shqipëria shënon më keq në faktorët e "klimës së biznesit dhe infrastrukturës", ku renditet në vendin e 105. Në "burime natyrore, kulturore dhe njerëzore" jemi paraqitur më mirë, duke u renditur në vendin e 71. Në listë, para nesh, janë vende si Kazakistani, Armenia etj. Faktorët e renditur janë ata që e bëjnë më tërheqës një vend që pretendon të zhvillojë një turizëm koherent dhe të leverdishëm për një pushues, qoftë ky i huaj apo vendas. Varësia e turizmit nga cilësia e mjedisit dhe e natyrës duhet të shtyjë një qeveri të përgjegjshme të rrisë mbrojtjen e tyre nëpërmjet strategjive dhe politikave të qarta aktive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›