E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Fatos Nano ka partinë e tij

Kryetari i LSI-së Ilir Meta, sqaroi dje se, LSI mbetet e gatshme të kontribuojë në kampin e majtë për të larguar qeverinë Berisha, ndërsa i gjithë blloku opozitar ndjehet i tradhtuar nga bashkëpunimi i lidershipit të PS me Sali Berishën. 

Aristir Lumezi

 Ai ka akuzuar drejtuesit e Partisë Socialiste, se prishën marrëveshjen e bashkëpunimit mes të majtës për t’i dhënë konsensus Sali Berishës, për të forcuar pushtetin e tij të pakufizuar. “Lidershipi i Partisë Socialiste, në mënyrë krejt joparimore dhe jotransparente, realizoi një aleancë të paprinciptë me kreun e maxhorancës, zotin Berisha duke i shërbyer atij, për të realizuar ato ndryshime kushtetuese, jodemokratike dhe që e kthejnë mbrapa Shqipërinë dhe njëkohësisht, thelbin e një shteti demokratik, që është ai i kontrollit dhe i balancës ndërmjet pushteteve”, tha Meta. Kreu i LSI-së i dha përgjigje dhe publikimeve për një takim të tij me ish-kryetarin socialist, Fatos Nano. “Absolutisht nuk ekziston ndonjë kërkesë për takim të tillë dhe nuk ka arsye që të ekzistojnë as keqkuptime, për emra të përveçëm, kushdo qofshin ata. Mendoj se qëndrimet e LSI-së kanë qenë dhe mbeten tepër parimore. Nano ka partinë e tij”, u shpreh kreu i LSI-së. Meta u shpreh se ishte PS ajo që nuk iu përgjigj ftesës së LSI për të diskutuar rreth reformës zgjedhore, duke e mbyllur këtë reformë me Sali Berishën. “LSI nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie, sepse i ka bërë të gjitha përpjekjet e saj, në kohën e duhur, për të parandaluar një situatë të tillë politike në vend, por ju e dini që edhe sot e kësaj dite, Partia Socialiste nuk i është përgjigjur një ftese zyrtare, nga kryetari i grupit tonë parlamentar për kryetaren e tyre të grupit parlamentar, për të diskutuar për diçka, që nuk ka të bëjë thjesht me interesat e LSI-së apo të PS-së, apo qoftë të gjithë opozitës, por me interesat e vendit, që është pikërisht Reforma Zgjedhore, sepse Partia Socialiste synon të vazhdojë politikën e faktit të kryer, duke i mbyllur këto marrëveshje dhe reforma të mëdha me Sali Berishën”, tha Meta. Kreu i LSI-së e konsideroi teatër polemikat mes Ramës dhe Berishës për investimet nga Bashkia e Tiranës, të cilat sipas tij, kërkojnë të mbysin marrëveshjen mes tyre për të betonizuar hapësirat më të gjelbëruara që ka kryeqyteti sot.

PS: Ministria e paaftë me librin shkollor

Partia Socialiste akuzoi dje Ministrinë e Arsimit për paaftësi në shpërndarjen e librit shkollor. Kryetarja e komisionit të Arsimit ne PS, Ledi Shamku denoncoi faktin që edhe këtë vit nuk u arrit të shmangeshin radhët. “Mesa duket edhe këtë vit do të përsëriten radhët e gjata e të mundimshme nëpër librari. Fillim ekselent për ministrin e ri të qeverisë së vjetër! Paaftësia strukturore e MASH-it edhe këtë vit nuk po ua kursen shqiptarëve minimumin e kërkuar: radhët demenciale”, tha Shamku. Sipas saj, defektet aq shumë të diskutuara të altertekstit të vjetshëm, defekte të rënda e të gjithë pranuara këto, MASH nuk mundi t’i zgjidhë, madje kësaj here as u përpoq t’i zgjidhë. Edhe këtë vit tekstet u hartuan në të njëjtat kushte sikundër vjet. Pra, u hartuan në mungesë të plotë standardesh, pa lidhje ndërdisiplinore e pa programe të vijuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›