E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ismail Qemali” viktimë e padijes universitare

Prof.Dr. Artan Fuga 

Në numrin e pardjeshëm  të gazetës «Panorama», dikush që merr krahun e gjashtë apo tetë personave që iu ka vajtur mendja për t’u shfaqur në rolin e propozuesve për heqjen e emrit «Ismail Qemali» të Universitetit të Vlorës, duke cimbisur, ciflosur e cenuar rëndë ndërgje*-gjen kombëtare, ditën për diell, kishte dalë me një pozicion të ri Propozimi për heqjen e emrit i dukej shumë i përligjur, vetëm se, sipas tij, ajo që nuk shkonte në këtë orvatje ishin thjesht argumentet që u dhanë për këtë qëllim! Në këtë mënyrë autori Andon Andoni, merrte rolin për ta pajisur opinionin publik me argumentet e duhura, të sakta, të mira, që do ta bënin plotësisht të kuptueshëm për publikun heqjen e emrit të patriotit të madh nga universiteti zonal i vendosur në Vlorë.
Qysh në fillim mendja të shkon te një paralogjizëm i kulluar, i cili nuk ka të bëjë fare me arsyetimin racional që do t’iu shkonte për shtat njerëzve që janë punësuar në sektorin e arsimit të lartë publik. Lexuesi e kupton vetë paralogjizmin. Në fillim merret një vendim, por që nuk mbështetet në argumentet e duhura, dhe pastaj, pasi ky vendim merret, ndërkohë që i has sharra në gozhdë përpara syve të opinionit publik, thuhet se tani po gjenden dhe jepen edhe argumentet e duhura që e përligjin atë. Ky është zaten edhe thelbi i paralogjizmit. Vendimet merren pa arsyen e duhur, pra për disa qëllime paralogjike, interesa – do thoshte Kanti – dhe pastaj mendja punon për të prodhuar argumente racionale për ta përligjur atë.
Në fillim veprimi, pastaj arsyet i gjejmë më vonë, pasi të kemi arritur rezultatet. Nuk nisemi nga argumentet për të vendosur përpara një qëllim, por mbërrijmë te qëllimi pastaj gjejmë argumentet. Ky quhet manipulim i pastër. Retorikë.
Megjithatë, pavarësisht kësaj metode të papranueshme për të arsyetuar brenda mjediseve universitare, shkrimi i pardjeshëm na jep mundësinë që së paku, me një vonesë dyjavore, të kemi më në fund para nesh argumentet e fundit, të «vlefshme» kësaj radhe, që kanë të bëjnë me propozimin naiv të heqjes së emrit të «Ismail Qemalit» për universitetin zonal të Vlorës. Kuptohet, nuk po ndalemi te nënteksti që autori iu transmeton tërthorazi vendimmarrësve: Ju nuk keni ditur ta përligjni mirë propozimin tuaj, ndaj dëgjoni sesi duhet ta bënit këtë operacion!
Argumenti i parë i vlefshëm, sipas autorit, qenka se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në Europë, universitetet na u quakan vetëm me emrin e qytetit ku janë vendosur, e shumta me emrin e ndonjë lokaliteti fqinjë, por jo me emra personalitetesh historike.
Mendja të vjen rrotull nga habia! Këtu fillon padija, e cila është e papranueshme në çdo fushë, por që bëhet e dhimbshme kur penetron në sferën e arsyetimit universitar. Ky argument i «vlefshëm» është më i dobëti që kam dëgjuar ndonjëherë. Më mirë ato argumentet e këqija të fillimit. Dy javë kohë për të nxjerrë këtë manipulim që kërkohet t’i bëhet opinionit publik. Çështja po zhytet gjithnjë e më thellë në errësirat e padijes ose të manipulimit. Duke kërkuar të vihen vetulla, po nxirren sytë. Amerikanët me plot të drejtë dhe me një dinjitet të pashoq dinë t’i japin kujtdo hakun që i takon. Patriotizmi i tyre është në nivelet më të larta. Kot e quajnë një mentalitet të prapambetur, gjoja me pretekstin se popujt që drejtojnë sot botën kanë hequr dorë këtej.
Amerikanët i kanë dhënë emrin e Gjergj Uashingtonit, presidentit të tyre të madh, kryeqytetit që simbolizon përqendrimin e forcës politike dhe morale amerikane.
E dini si do të barazohej ky veprim i madh i tyre? Sikur vetë Vlora, jo vetëm Vlora, por edhe kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, të quhej kryeqyteti i Shqipërisë, Ismail Qemali! Nuk them se përse nuk është bërë. Është vonë tashmë. Por, krahasimi me amerikanët është kundër vetë atyre që e përdorin. Me dhjetëra lokalitete e komuna përreth a më tutje kryeqytetit amerikan mbajnë po këtë emër të madh.
Mirë, do të pyeste lexuesi ynë i nderuar, qytete ka me emra personalitetesh historike, (Gjergj Uashingtoni nuk kishte fare lidhje me shkencat universitare), po emra universitetesh të tillë a ka? Se mos është ndonjë zakon barbar shqiptar? Mos, ndonjë ndjenjë kombëtare e kapërcyer? Lehtësisht e verifikueshme. Katër blloqe më larg se Shtëpia e Bardhë, në kryeqytetin Washington (Gjergj), ndodhet Universiteti Gjergj Uashington, i krijuar me një akt të Kongresit në vitin 1821. Universitarët e atjeshëm nuk kanë turp se punojnë në një qendër universitare të quajtur me emrin e një personaliteti historik të kombit të tyre, kurse universitarë nga Vlora e quajnë këtë diçka që i pengon në punën e tyre.
Të paktën të mos na hedhin hi syve duke na dhënë shembuj të huaj.
Por, se mos është një përjashtim ky? – do të pyeste lexuesi. Ta zëmë: Universitet me emrin Benjamin Franklin, a ekziston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Po. Sigurisht që po. Është krijuar më 1987 brenda shkollës së biznesit dhe të menaxhimit publik. Po me emrin Abraham Linkoln?, do të pyeste ndonjë kokëfortë. Përsëri po, patjetër po, ndodhet në Los Angeles dhe është i specializuar fort për jurisprudencë. Nuk dorëzohet kokëforti. Po emrin Xhon Kenedi? – përsëri po. Sigurisht po.
Argumentet e «vërteta» dhe të «vlefshme» shkrihen si kripa në ujë. Numëron Sorbonën, autori i shkrimit të pardjeshëm, si të ishte një emërtim universitar që nuk ka lidhje me emra personalitetesh, por me emra lokalitetesh.
Këtu padija universitare del fare sheshit. Nuk do të donim të ishte një gënjeshtër e qëllimtë. Vetëm ai që nuk e njeh fare historikun e universiteteve franceze, gjermane, spanjolle, italiane, nuk e di se emrat e personaliteteve edhe atje përdoren për të quajtur universitete dhe fakultete. Sorbonë, që përfshin si emër disa universitete, në fakt, të ndarë nga njëri-tjetri, vjen nga emri i kolegjit të famshëm të themeluar në vitin 1253, në gjini e universiteteve të Parisit, nga kapelani i famshëm, konfidenti i mbretit, Robert de Sorbon. Por, edhe ky fakt, sakrifikohet nga padija universitare. Sorbona i duket si emër lokaliteti.
Shembulli marrë me Sorbonën nuk pi fare ujë. Gabimisht, ai trajtohet si emër lokaliteti.
Hajde argument, hajde! Javën tjetër duhet të gjenden argumente të tjera. Kësaj radhe vërtet të vlefshme. E thamë në fillim: Paralogjizmi duket sheshit: Në fillim heqim emrin për qëllime intuitive të pathëna, pastaj gjejmë argumentet e duhura. E meqë jemi këtu, duhet të themi se edhe në universitetet që nuk bartin emra personalitetesh të mëdhenj, (të tilla ka plot sigurisht), ka me dhjetëra salla klasash, auditorë, gjigande apo të mesme, kabinete, që bartin emra personalitetesh të mëdha historike. Rishëljë, Dekart, Humbold, Viktor Hygo, Frojd, emra dëshmorësh të Luftës së Dytë Botërore, Zhan Mulen, presidentësh etj., ndodhen gjithandej në mjediset universitare. Nuk ka turp Europa e përparuar të emërtojë lokale universitare me emra personalitetesh historike.
Në Vlorë kjo duket anakronike. Në argumentet e «vlefshme» që jepen nga shkrimi i pardjeshëm,  përmasat e problemit shtrihen shumë më gjerë sesa lidhur me universitetin e Vlorës. Nuk kisha dashur ta besoj Ismail Kadarenë kur tha me këtë rast se kemi të bëjmë me një përpjekje më të shtrirë për të dëmtuar simbolet kombëtare. As sot nuk dua ta besoj. Por, tek argumentet e «vlefshme» që jep autori i shkrimit të pardjeshëm gjithçka del qartë. E njëjta gjë, si për universitetin e Vlorës, shtrohet edhe për universitetet e tjera rajonale. Rrezikohen emrat e Luigj Gurakuqit, Aleksandër Moisiut, Fan Nolit etj.
Përse edhe emri Fan Nolit? Apo edhe ky nuk ka të bëjë fare as me kulturën e as me shkencën shqiptare? Fillon procesi me Ismail Qemalin për të mbaruar te Fan Noli. Në këtë mënyrë dëmtohet një nga mekanizmat që popujt e kulturuar përdorin për të njohur e transmetuar ndër breza korifenjtë e historisë kombëtare. Hiqni dhe emrat e aeroportit të Tiranës, të stadiumeve, sepse edhe ata kanë emra personalitetesh historike!
Kthejeni gjithçka në një hapësirë hënore para se të mbërrinte atje njeriu, në një hapësirë amnezike. Çështja e emërtimeve të shesheve, rrugëve, institucioneve, universiteteve, bile edhe e vendosjes së emrave të personave që sapo lindin, ka një kuptim të paevitueshëm simbolik. Na duhet të shpjegojmë mënyrën e funksionimit të simboleve, të shpjegojmë atë që në shkencë quhet «hapësirë simbolike», për ta kuptuar se argumentet e «vlefshme» të pardjeshme, nuk janë veçse flluska sapuni në ajër. Praktikisht emri i Ismail Qemalit nuk përdoret në jetën praktike të përditshme, na thotë artikuluesi i argumenteve të «vlefshme» të pardjeshme. Një student në Vlorë do të thoshte «Universiteti i Vlorës» dhe jo Universiteti «Ismail Qemali i Vlorës».
Hajde argument i «vlefshëm» hajde!
Po ta pyesësh një shqiptar se cili është shteti që ai i përket si qytetar do të thotë: «Shqipëria». Nuk është luajtur nga mendtë për të thënë ushtarakisht: «Jam nga Republika e Shqipërisë». Të gjithë do të gajaseshin poqese dikush do ta bënte këtë. Por, shkurtimi i emrit të shtetit, nuk sjell në asnjë mënyrë edhe justifikimin e ndërrimit të emrit të tij, sikurse e përdor këtë analogjizëm shkrimi i pardjeshëm. Nuk ka luajtur nga mendtë një student apo qytetar që të thotë se po shkoj andej nga Universiteti «Ismail Qemali», apo me «shërbim» te ky universitet. Vlora një universitet ka. Po të kishte dy, emërtimi «Ismail Qemal » do të hynte menjëherë në fuqi edhe në jetën e përditshme.  Shikoni si quhen gjimnazistët e Tiranës me njëri-tjetrin: petroninsa, ismailqemalsa, qemalstafs etj. Pra, nuk është e vërtetë se emërtimet me emra personalitetesh historike nuk futen në jetën e përditshme. Po të ndjekim këtë logjikë që përdor autori i shkrimit të pardjeshëm, do të thoshim se një qytetar vlonjat kur dëshiron të shkojë andej nga universiteti, nuk ka nevojë të thotë as «Universiteti i Vlorës». Mjafton vetëm të thotë se: «Po shkoj andej nga universiteti».
Por, a mjafton kjo gjë për ta hequr edhe emrin «Vlorë» nga emërtimi universitar? Aspak. Kjo logjikë e paqëndrueshme na çon edhe te heqja e emrit «Vlorë».
Bile, dikush që do donte të futej brenda universitetit të Vlorës «Ismail Qemali», i ndodhur përballë tij, mund të thoshte: «Po futem aty brenda!».
Mos vallë kjo do të na bënte që universitetin zonal të Vlorës ta quanim Universiteti «Ay brenda»? Kuptohet se tjetër është simbolika institucionale, e cila medoemos është e ftohtë, neutrale, dhe tjetër simbolika e përditshme, «in situ». Jeta e përditshme nuk pranon mbivendosje artikulimesh simbolike, por kjo nuk do të thotë që gjuha zyrtare, e cila ka funksione dhe qëllime të tjera, të zëvendësohet nga simbolika e përdorimit të përditshëm. Por, këtu jemi duke u futur në çështje fine të gjuhësisë dhe sociolinguistikës, të filozofisë së gjuhës, të cilat nuk e dimë nëse zhvillohen dhe me çfarë niveli kryhen në Universitetin «Ismail Qemali» të Vlorës. Padija universitare në këto fusha del qartë në pah. Në këtë kuptim, nuk e ka keq Henri Çili, kur thotë se në vend të një diskutimi për emrin, le të bëjmë një diskutim për universitetet rajonale.
Universitetet anembanë emërtohen me emra qytetesh, na thotë autori i shkrimit të pardjeshëm. Më kujtohet përvoja ime personale dhe pyes veten: Si është e mundur të guxohet për ta dezinformuar në këtë shkallë opinionin publik vendas? Kolegët e mi të universitetit «Ciril dhe Metod» në Shkup ndruaj se do t’i hidheshin në fyt kujtdo që do t’u propozonte qoftë edhe në ditë pushimesh verore, kur studentët dhe pedagogët ndodhen larg, të qetë, me pushime, të hiqnin këtë emër për universitetin e tyre. Statuja e Nikolla Kopernikut është impozante në universitetin e famshëm polak, qindravjeçar. Qysh në derë duhet të përulesh para tij, sepse ky emër nuk shkruhet atje mbi ndonjë tabelë tip dyqani apo nga ato të emulacionit socialist. Emrin «Aristotel» të Universitetit Politeknik të Selanikut e përmendin me nder dhe dinjitet jo vetëm pedagogët dhe studentët e tij, por edhe emigrantët e dikurshëm shqiptarë, atëherë të varfër, të cilët përpiqeshin të hanin me çmime të lira apo falas, në mensat gjigande të tij. Nuk e di nëse ka ndonjë mensë studentësh universiteti «Ismail Qemali» i Vlorës, sikurse kanë universitetet private të Tiranës, që kanë emra të përveçëm, si Polis, Marin Barleti, Europian i Tiranës etj.? Jam i sigurt se miqtë e mi filozofë të universitetit të Thrakës, nuk do të m’i hidhnin më sytë, nëse do t’iu thosha: A nuk ju pengon fakti që universiteti juaj mban emrin «Demokrit»?
Autori i shkrimit të pardjeshëm mendon se emrat e qyteteve janë neutrale, kurse ato të personaliteteve historike kanë ngarkesa simbolike. Rroftë neutraliteti gjeografik! Por, vetëm nëse do të ekzistonte, ama! Çdo fjalë me të cilën njeriu quan botën ka ngarkesë simbolike. Puna është se disa nga këto fjalë, ngaqë janë përdorur shpesh dhe brez pas brezi, sikurse ka nevojë çdo emërtim për një kohë që të bëhet pjesë e jetës, duken si fare neutrale, kurse fjalët e tjera duken si me ngarkesa simbolike. Edhe emri «Vlorë» ka ngarkesë simbolike. Nuk është thjesht një emër qyteti. Por, na duhet të bëjmë një leksion toponimie për t’u shpjeguar.
Një universitari nuk i falet kjo padije. As emrat Andon, apo Artan, kur cilësojnë dikë nuk janë pa ngarkesë simbolike që lidhet me kulturën dhe identitetin e atyre që i kanë vendosur këta emra. Mbi realitetet e ngurta, mbi institucionet, njeriu mbivendos një simbolikë të caktuar, sepse ka nevojë ta humanizojë hapësirën, botën, ta bëjë të tijën, ta tregojë atë duke projektuar mbi të identitetet e veta kulturore, kombëtare, historike. Bile jo vetëm njeriu. Edhe disa lloje kafshësh, me mjetet e tyre të dizenjimit simbolik të botës, bëjnë të njëjtën gjë për të projektuar identitetin e tyre mbi hapësirën gjeografike. Hapësira gjeografike si e tillë kapet nga njeriu vetëm nëpërmjet formave simbolike me anë të cilave ai quan realitetin.
Edhe kafshët. Udhërrëfyesi në një kopsht zoologjik më thoshte: E shikon këtë lloj dhelpre? Ajo ka mënyrën e vet për të treguar se territori ku jeton është i saj, i jep territorit ngarkesën e vet simbolike.
Si e bën? – pyes. E vadit gjithë hapësirën përreth me urinën e vet – më përgjigjet. Kërkon të nuhasë erën e vet brenda territorit ku jeton. Bota e jashtme dhe ajo bëhen njësh.
Kjo është qenia e gjallë në përgjithësi. Njeriu ka fjalën për ta bërë në mënyrën më perfekte. Projekton historinë e vet nëpërmjet toponimisë apo emërtimeve institucionale. Nuk ka neutralitet. Përse ca universitete të Tiranës të mos kenë emra, kurse ato rajonale të kenë emra personalitetesh? – prodhon argumentin e fundit të «vlefshëm», autori i shkrimit të pardjeshëm. Këtu kompleksi i inferioritetit shfaqet fare hapur. Është një argument i pavlefshëm, i gabuar, shumë më i gabuar edhe se argumentet e mëparshme.
Ka shumë arsye për ta shpjeguar këtë fakt. Por, logjikisht, duhet thënë qysh në fillim, se argumenti i dhënë është i kotë. Nuk ka vlerë.
Nëse ca rrugë nuk kanë emra, kjo nuk do të thotë që emrat t’iu hiqen edhe rrugëve që i kanë këto emra.
Apo jo? Meqë autori i shkrimit të pardjeshëm duket i dashuruar me shembujt e botës së qytetëruar, le t’i themi se kjo gjë duket fare normale, sepse edhe në Perëndim, vendimmarrësit, ata që kanë kompetencat ligjore, herë kanë vendosur emra për universitetet dhe herë jo. Ku është problemi që të flitet e thërritet për dy standarde? Argumenti i tij i pavlefshëm nuk na thotë asgjë se përse duhet të heqim emrat e universiteteve që tashmë e kanë një emër, dhe jo të presim kohën e duhur dhe të gjejmë emrat e duhur edhe për universitetet që nuk kanë ende emra. Është sigurisht më kollaj të emërtosh një universitet të ri, sesa një universitet që tashmë ekziston. Është më kollaj të emërtosh një universitet të vogël rajonal, gjithsesi me të ardhme dhe shumë më vështirë të emërtosh universitetet e mëdha të kombit. Se duhet të gjesh emra që t’iu përshtaten, se duhen kombinuar gjykime kontradiktore, se kombi gjen kohën e duhur për të vendosur emrat e njerëzve të mëdhenj të vet.
Argumentet e dhëna në shkrimin e pardjeshëm janë të pavlefshme dhe aspak bindëse. Mbi të gjitha në to ka informacion të pavërtetë. Ka padije. Propozuesit e heqjes së emrit të madh të «Ismail Qemalit» duhet të vazhdojnë për të gjetur argumente të vlefshme.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›