E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria heq shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm hiqet në Shqipëri. Çdo i ri që tani e tutje nuk do t’i nënshtrohet rregullit për kryerjen e shërbimit ushtarak të detyrueshëm. 

Heqja e këtij shërbimi të detyrueshëm realizohet për shkak se në Shqipëri deri në 2010-ën do të ketë ushtri profesioniste dhe vullnetare, siç ka qenë deri më tani. Qeveria në mbledhjen e djeshme ka marrë vendimin përfundimtar për heqjen e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, duke e lënë që kjo të realizohet me anë të dëshirës së vetë personit. “Vendimet që do të miratojë sot qeveria synojnë thellimin e reformave. Kështu shkohet drejt heqjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe kalimit në ushtri profesioniste”, u shpreh Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme. “Shtetasi, që për arsye ndërgjegje nuk pranon të kryejë shërbimin ushtarak, duhet të paraqesë një kërkesë së bashku me dokumentacionin shoqërues në qendrën e rekrutim-mobilizimit, përpara se të plotësojë moshën ligjore të thirrjes për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ose në komandën e njësisë (repartit ushtarak), kur është duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak”, thuhet në nenin 5 të p/ligjit të miratuar nga qeveria.
Ndërsa në nenin 6 të projektligjit përcaktohet se, “Qendra e rekrutim-mobilizimit për zbatimin e programit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave, sigurimin e personelit të nevojshëm për shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv, rezervist dhe të personelit profesionist (me pagesë), për plotësimin e njësive e të reparteve të Forcave të Armatosura”. Në relacionin e qeverisë përcaktohet se Aminsti International dhe Ministria e Drejtësisë kanë rekomanduar mendimin e këtij ligji lidhur me shtrirjen e aplikimit për shërbimin alternativ për shtetasit jo vetëm 6 muaj para mbushjes së moshës për thirrje të shërbimit ushtarak, por pa kufizim, edhe kur shtetasi është duke kryer shërbimin ushtarak të detyrueshëm. Për këtë arsye, shteti shqiptar duhet t’i ofrojë shtetasve të saj një shërbim alternativ. Ndërsa është propozuar që shtetasi familjar, i martuar, që ka një a më shumë fëmijë të mitur, të mos thirret për kryerjen e detyrës së shërbimit ushtarak. Gjithashtu kjo zbatohet dhe kur ushtari bëhet familjar, duke ia ndërprerë në mes ushtrinë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›