E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK-ja, kallëzimin penal në prokurori ndaj Gurakuqit: ”Abuzoi me simbolet e partisë”



Sokol Frroku, nënkryetar i Partisë Demokristiane, deklaroi dje se në Prokurorinë e Tiranës është regjistruar nja padi penale ndaj anëtarit të kësaj partie, Nikolin Gurakuqi. Frroku tha se Gurakuqi ka spekuluar me emrin e PDK-së. “Duam të nënvizojmë se ky person, në mënyrë flagrante dhe pa asnjë skrupull, ka përdorur jashtë çdo norme ligjore dhe etike simbolet e PDK-së për interesat e tij personale politike. Z. Gurakuqi për veprimet e kryera mban përgjegjësi të plotë ligjore. Për këtë qëllim PDK-ja ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal kundër tij. Sigurojmë të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e PDK-së se asnjë shantazh nuk do të mund të ndikojë në aktivitetin politik të PDK-së në mbrojtje të vlerave dhe parimeve demokristiane”, - tha Frroku. Sipas nënkryetarit demokristian, PDK-ja ka strukturat e veta, të cilat janë ende legjitime. “PDK-ja ka një kryetar legjitim, dhe ky është Nard Ndoka. Së dyti, PDK-ja ka një kryesi legjitime, e zgjedhur dhe e votuar, e cila vazhdon të jetë në detyrë. Së treti, PDK-ja ka Këshillin e saj Kombëtar, i cili do të mblidhet ditën e premte për të dhënë përgjigjen më të merituar spekulantëve politikë”, - tha më tej Frroku. Nga ana tjetër, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Anton Gurakuqi, deklaroi se Kryesia e Partisë Demokristiane nuk e njeh më Nard Ndokën si kryetarin e saj. Gurakuqi u shpreh se do të mbahet një kongres i jashtëzakonshëm në datën 10 maj, ku do të kërkohet shkarkimi nga kreu i PDK-së i Nard Ndokës. “Ndoka të mos dalë më në media, por të gjejë kurajën për të marrë pjesë në Kongresin e madh të datës 10 maj, ku të japë llogari për drejtimin abuziv të partisë, si dhe për mungesën e transparencës së përdorimit të 210 milionë lekëve të fondeve, marrë nga buxheti i shtetit gjatë dy viteve, kohë kjo kur Ndoka ka drejtuar PDK-në”, - tha Gurakuqi. Deputeti Pashk Ujka, në një prononcim për mediat, tha se Grupi Parlamentar i PDK-së është drejt shpërndarjes. “Grupi Parlamentar gjithashtu është në një moment shpërbërje dhe nuk po funksionon më, për arsye se zoti Ndoka nuk i ka më numrat e nevojshme të grupit për ta mbajtur në funksion këtë grup parlamentar sipas rregullores së parlamentit”, - tha Ujka. Tashmë pritet që ditën e premte Këshilli Kombëtar i PDK-së të mblidhet për të mbajtur një qëndrim në lidhje me përçarjet brenda partisë. Prej disa ditësh në selinë e PDK-së janë vënë re çarjet që kanë nisur midis krerëve të kësaj force politike dhe anëtarëve të saj, të cilët nuk po bien dakord në lidhje me interesat e brendshme të kësaj partie. Një pjesë e tyre kërkojnë qëndrimin e zotit Ndoka në krye të partisë, ndërsa një pjesë tjetër, kanë dalë kundra dhe kërkojnë largimin e tij nga ky post.

30 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›