E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Gati të rrisin investimet gjermane në Shqipëri

Berlin Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm takohet me sekretaren e Shtetit

Vizita e ministrit të Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, në Gjermani, duket se ka sjellë një informacion pozitiv që lidhet më së shumti me elementët ekonomikë. Gjatë qëndrimit në Berlin, zëvendëskryeministri i Shqipërisë ka takuar edhe sekretaren e Shtetit për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, Gudrun Kopp. Duke folur rreth bashkëpunimit dypalësh, kjo e fundit ka bërë të qartë në konferencën e përbashkët për shtyp, se paketa e kursimeve që do të miratohet së shpejti në Parlamentin gjerman nuk do ta prekë Shqipërinë. “Shkurtime do të ketë, por jo në bashkëpunimin me Shqipërinë. Ne kemi bërë sugjerime për kursime që kapin shumën prej 200 milionë eurosh. Ne kemi shumë obligime ndërkombëtare që duhet t’i përmbushim: mbrojtja e klimës, zhvillimi agrar, luftimi i AIDS. Dhe ne duam të mbetemi partnerë të mirëbesueshëm”, është shprehur Kopp. Ndërkohë me interes është pritur në Gjermani edhe qëndrimi i ministrit të Jashtëm shqiptar lidhur me krizën politike në vend. Një intervistë me seksionin shqip të Deutsche Welle-s ka “zbardhur” edhe një herë pozicionin e shumicës në pushtet rreth rrugës për zhbllokimin e situatës. “Fakti që mazhoranca e ka pranuar prej kohësh për t'i garantuar shumicën e komisionit parlamentar opozitës, për t'i dhënë drejtimin këtij komisioni, për t'i dhënë njëkohësisht edhe rolin kryesor për të formuluar reformën e ardhshme zgjedhore...dëshmon se vullneti ka qenë dhe mbetet i padiskutuar nga ana e mazhorancës për të punuar në mënyrë konstruktive me opozitën”, ka deklaruar për DW, Ilir Meta. Ai e ka rikonfirmuar këtë qëndrim të koalicionit qeveritar menjëherë pas takimit me homologun gjerman, Guido Westerwelle, prej të cilit është dhënë mbështetja për liberalizimin e vizave dhe integrimin e Shqipërisë. Një prononcim politik është bërë prezent edhe për situatën rajonale ku Berlini është shumë i angazhuar. Ministri shqiptar ka nënvizuar interesin e Tiranës zyrtare për të drejtat dhe situatën e shqiptarëve kudo në Ballkan, ku është nënvizuar sidomos Lugina e Preshevës. Vendosja e standardeve europiane në trajtimin e minoriteteve është sipas Metës kusht për tejkalimin e problemeve të së shkuarës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›