E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Idealet për një Shqipëri demokratike frymëzojnë projektin tonë”

Autori i Lajmit: red.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga drejtues të tjerë të LSI-së, zhvilluan sot paradite homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në nderim dhe respekt të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve. Gjatë ceremonisë përkujtimore, Kreu i LSI-së, në shenjë të kujtimit dhe nderimit të veprës së tyre heroike, vendosi një kurorë me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Pas homazheve pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, Meta së bashku me drejtues të LSI dhe kandidatë të saj për deputetë, zhvilluan vizita në disa familje të dëshmorëve, në mes të të cilave edhe në familjen e dëshmorit Mustafa Kaçaçi. “Idealet e dëshmorëve për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri të begatë, janë ato që na frymëzojnë çdo ditë në projektin tonë për një Shqipëri evropiane, ku të gjithë shqiptarët të jetojnë në liri, të jetojnë në paqe dhe në begati. 5 Maji është një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, sepse është dita e mirënjohjes për gjakun e derdhur nga martirët e kombit tonë në luftën më të lavdishme të zhvilluar nga kombi ynë, atë Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila jo vetëm që garantoi pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë, por në themel të kësaj Shqipërie evropiane që ne synojmë sot, qëndron pikërisht sakrifica e këtyre martirëve”,- tha Meta.
Ky lajm është publikuar: 06/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›