Shkëlzen Berisha: S’kam qenë kurrë në Bosnje-Hercegovinë
Djali i Kryeministrit përgënjeshtron akuzat e “ZP”-së
“S’kam qenë as vetëm dhe as i shoqëruar me të tjerë”
Edhe një herë tjetër kthehet në vëmendje të publikut familja e Kryeministrit Sali Berisha, e cila shpeshherë sulmohet nga opozita dhe media pranë saj. Këtë radhë bëhet fjalë për djalin e Kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, emri i të cilit u lidh që në fillim me të akuzuarit për tragjedinë e Gërdecit, konkretisht me biznesmenin që kishte fituar të drejtën e demontimit të municioneve, Mihal Delijorgji. Dje në faqet e gazetës “Zëri i Popullit”, organ zyrtar i Partisë Socialiste, Shkëlzen Berisha, akuzohej se kishte udhëtuar drejt Bosnjës së bashku me Delijorgjin, për të “rregulluar” bizneset e tij të armëve. Me anë të një deklarate për shtyp, djali i kreut të qeverisë ka hedhur poshtë këto akuza, duke deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë në këtë shtet, as vetëm dhe as i shoqëruar. Në deklaratën e tij për shtyp ai shkruan se “detyrohem të bëj këtë sqarim, pasi në frymën e maskaradës së shpifjeve dhe gënjeshtrave, gazeta, nën diktatin e opozitës, shpërndan shpifjen e radhës, sipas së cilës unë kam udhëtuar në Bosnjë në shoqërinë e Mihal Delijorgjit, për llogari të bizneseve të këtij të fundit, dhe me një person tjetër të cilit nuk i përmendet emri. I bëj me dije publikut se ky është një mashtrim i ulët i bërë nga njerëz akoma më të ulët, pasi unë nuk e kam vizituar kurrë dhe asnjëherë këtë vend, as vetëm e as i shoqëruar nga të tjerë”. Ndërkohë ai bën të qartë se do të mbetet vetëm tek deklarata publike dhe nuk do të ndërmarrë rrugë ligjore për të hedhur në gjyq gazetarët e kësaj gazete për atë, që ai e quan shpifje të ulët ndaj emrit të tij. Shkëlzen Berisha shprehet se “në pamundësi për të hedhur në gjyq autorët e kësaj shpifjeje të denjë vetëm për moralin e tyre, për shkak të një norme etike të respektuar prej kohësh nga familja ime, nuk më mbetet veçse të denoncoj abuzimin amoral të autorëve të saj, me lirinë e shprehjes dhe profesionin e gazetarit”. Djali i shefit të qeverisë ka përgënjeshtruar disa herë radhazi përfshirjen e emrit të tij në këtë çështje, duke mohuar çdo lloj lidhjeje me Delijorgjin ose me tenderat për tregti dhe demontim të armëve.
Deklarata e PD-së
Në mbështetje të Shkëlzenit ka dalë dje zyrtarisht dhe Partia Demokratike. Zëdhënësi i saj, Gerti Bogdani, në një deklaratë për shtyp tha se “në fletushkën e tij, z. Rama në serinë e shpifjeve dhe trillimeve të ulëta personale ndaj Kryeministrit, shkruan se djali i tij ka qene në Bosnje si ndërmjetës i Delijorgjit. Kjo është një shpifje dhe trillim i karakterit më të ulët të atyre që kanë ndarë dhe ndajnë paratë e krimit dhe korrupsionit me Delijorgjin”. Bogdani përgënjeshtroi këtë shkrim, duke deklaruar se “djali dhe asnjë nga familjaret apo të afërmit e Kryeministrit, nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë lidhje me aferat e Delijorgjit dhe delijorgjëve dhe nuk kanë qenë asnjëherë dhe për asnjë detyrë në Republikën e Bosnje– Hercegovinës”.