Senati amerikan inkurajon pranimin e Shqipërisë në NATO
Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara ka dhënë pëlqimin e tij për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ditën e djeshme, ky komitet është mbledhur nën drejtimin e kryetarit të saj, Senatorit Joe Biden, ku është diskutuar në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO pas marrjes së ftesës së Bukuresht. Anëtarët e këtij komiteti janë shprehur pro anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë. Tashmë, pas kësaj seance dëgjimore, të zhvilluar në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë në lidhje me ecurinë e dy vendeve, pritet që Senati amerikan të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit në NATO me Shqipërinë dhe Kroacinë, i nënshkruar në Bruksel më 11 korrik të këtij viti. Senatorët amerikanë kanë vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në reformat që janë ndërmarrë në vend. Senatori i Indianës në SHBA, nënkryetari i Komitetit, Richard Lugar, ka vlerësuar punën që është bërë në Shqipëri për reformimin e Forcave të Armatosura. Lugar ka vlerësuar edhe punën e kryer në Ushtrinë Shqiptare nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.