E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Kanadaja të infuelncojë për njohjen e Kosovës

Gjatë këtij takimi, të dy palët vlerësuan marrëdhëniet miqësore midis Shqipërisë dhe kanadasë dhe shprehën vullnetin e ndërsjelltë për intensifikimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat me interes reciprok, veçanërisht në fushën e investimeve
 
Z. Meta vlerësoi vizitën e delegacionit parlamentar kanadez në Shqipëri dhe shprehu vullnetin e Qeverisë shqiptare për t’i forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve më tej, sidomos në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Me këtë rast, z. Meta i kërkoi Kryesenatorit Kinsella të ushtrojë influencën e tij për përshpejtimin e firmosjes së dy marrëveshjeve kuadër mes Shqipërisë dhe Kanadasë, marrëveshje që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve dhe atë të eliminimit reciprok të taksimit të dyfishtë.
 
Z. Meta shprehu gjithashtu mirënjohjen e Qeverisë shqiptare për mbështetjen që Kanadaja i ofroi Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në këtë kontekst, z. Meta i kërkoi senatorëve kanadezë të përdorin influencën e tyre me ato vende që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës.
 
Kryesenatori Kinsella, pasi e uroi z. Meta për detyrat e reja, i përcolli atij përgëzimet dhe përshëndetjet më të ngrohta të Ministrit të Jashtëm kanadez, z. Lawrence Cannon. Ai vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare në Kanada dhe rolin e saj si urë lidhëse mes dy vendeve dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Shqipërisë do të vijnë vetëm duke u forcuar.
 
Gjithashtu, Kryesenatori Kinsella vlerësoi përmirësimin e situates në Kosovë dhe rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur dhe luan në rajon. Kryesenatori Kinsella, ofroi mbështetjen e tij për përshpejtimin e proçedurave të marrëveshjeve kuadër dhe e siguroi z. Meta për mesazhin e qartë pozitiv që kjo vizitë parlamentare jep për marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Shqipërisë.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›