E Diel, 1 Nëntor 2026

Virusi mbush spitalin me të sëmurë

18/04/2005  Fier/ Dhjetëra fëmijë mbërrijnë pranë urgjencës së pediatrikut

FIER - Sëmundjet virale të stinës së pranverës, tejmbushin spitalin pediatrik të femijëve, me një kapacitet prej 100 shtretërish. Lajmi konfirmohet nga vetë mjekët e përkushtuar pediatër që punojnë në këtë spital, dhe sidomos nga shefi i këtij spitali, Dhimitër Dhamo.

Sëmundjet e stinës

Sipas tyre, sëmundjet virale janë sëmundjet e stinës së pranverës, që dikur spikasnin më tepër në stinën e verës, ku favorizues i kësaj sëmundjeje, ishin temperaturat e larta, ndotjet e ujit të pijshëm dhe pluhuri i rrugës.

Eneteroviroza tashmë, sipas mjekëve të këtij spitali, është sëmundja më shqetësuese, e cila prek kryesisht fëmijët e moshës 2-10 vjeç. Sipas mjekut pediatër, Dhimitër Dhamo, në këtë spital paraqiten për vizitë me simptomat e kësaj sëmundjeje, mbi 50 fëmijë në ditë, ndërsa numri i tyre nuk është shumë i saktë, po të kihen parasysh edhe vizitat në qendrat ambulatore. Gjithashtu, sipas tij, në këtë spital paraqiten për serume dhe reanimatorë ditorë mbi 20 fëmijë, ndërsa shtrohen në gjendje të rënduar shëndetësore, mbi 12 fëmijë në ditë.”Por, numri i tyre- pohon mjeku Dhamo- ndryshon në varësi të ndryshimit të motit. Rritja dhe ndryshimi i temperaturave, sjell në organizmin e fëmijëve të vegjël dhe çrregullime të brendshme organike, të cilat shpesh shoqërohen fillimisht me të vjella, pastaj me bark, temperaturë të lartë, çlirim të lëngjeve dhe dobësim të oganizmit”

Pasojat e kurimi

Lidhur me këtë sëmundje, mjekja pediatre Vito Gaga pohon se, sëmundja virale e kësaj stine, sjell humbje të lëngjeve në organizëm nëpërmjet barkut, të vjellave dhe djersitjes pas temperaturës së lartë.”Në këtë spital -thotë ajo- kanë ardhur këto ditë edhe fëmijë në gjendje shumë të rënduar shendetësore, për shkak të humbjes disaditore të lëngjeve, nga neglizhenca e prindërve, ndaj e rëndësishme për këtë sëmundje, është sjellja e fëmijëve në kohën e duhur dhe bërja e banjove me ujë të ngrohtë, apo pirja e lëngjeve të freskëta, apo trisolit”.

Sipas mjekëve, duhet patur kujdes në ndryshimin e stinëve, sidomos tek pacientët e vegjël që vuajnë nga sëmundje të tjera organike, pasi organizmi i tyre është edhe më shumë delikat se i fëmijëve normalë, dhe janë më të prirur për t’u sëmurur. Ndotja e ujit të pijshëm, pluhuri i rrugëve apo temperaturat e larta, janë shkaktarët e rritjes në masë të kësaj sëmundje që, sipas mjekëve pediatër të këtij spitali, po merr gjithnjë e më tepër përmasa alarmante.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›