Ren dhe Pak: BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin
Dy komisionarët e Bashkimit Europian, Oli Ren dhe Doris Pak, mbështesin zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë samitit “Miqtë e Europës”, Ren është shprehur se nuk duhet të ndalet procesi i zgjerimit të BE-së, por duhet të vazhdojë në pranimin e 7 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në samit e mori fjalën edhe kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Europën Juglindore, Doris Pak, e cila u shpreh se çdo zgjerim është një sfidë për të dyja palët, ndaj duhet pasur parasysh se probleme dhe diferenca kanë si vende që aspirojnë të futen në BE, ashtu edhe vendet anëtare të BE-së. Pak u shpreh se BE-ja nuk është e plotë pa aderimin në të edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo theksoi se për këto vende prioritet duhet të jenë veçanërisht investimet në arsim. Kryeministri Berisha ka qenë një 6 pjesëmarrësit në panel. Në përgjigje të interesimit të pjesëmarrësve në samit në lidhje me ecurinë e procesit të privatizimit të operatorit të Shpërndarjes së Energjisë të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, kryeministri Berisha u shpreh se nuk ka dalë ende fituesi, por procesi i privatizimi është në rrugë të mbarë dhe ai do të jetë një proces i suksesshëm, ashtu siç ishte edhe procesi i privatizimit të kompanisë “ARMO”. “Qeveria shqiptare do të bëjë maksimumin për të qenë një privatizim i suksesshëm”, - tha kryeministri, duke theksuar se energjia dhe shfrytëzimi i potencialeve energjetike mbeten prioritet i qeverisë shqiptare.
25 Qershor 2008