Meta: Kjo do të quhet Kushtetuta e Sali-Ramës, ose edhe Kushtetuta e Gërdecit
Shpërthen kreu i LSI-së, Ilir Meta, duke konsideruar si fajtorët më të mëdhenj për prekjen e dokumentit themeltar të shtetit dy kryetarët e partive më të mëdha politike në vend. Meta e ka etiketuar dokumentin e ri themeltar të vendit si "Kushtetuta e Sali-Ramës". Vota kundër e grupit të LSI-së është ripërsëritur në Kuvend dje edhe nga kryetari i saj, Ilir Meta. Ai e cilësoi çdo gjë të vendosur në mënyrën më antidemokratike dhe më të turpshme, pasi bëhet fjalë për të ndryshuar në thelb Kushtetutën e Shqipërisë të votuar me referendum. "Sot, Berisha merr të gjitha ato që kërkoi nga populli 14 vjet më parë. Sot, Berisha arrin të gjitha pushtetet që deshte atëherë, por këtë herë pa referendum. Të gjitha këto ai i merr nga kryetari i PS-së, Edi Rama", tha Meta. Sipas tij, këto ndryshime godasin në thelb dhe në zemër Kushtetutën dhe parlamentarizmin në Shqipëri dhe godasin në zemër pluralizmin politik. "Shqipëria nuk mund të jetë më Republikë Parlamentare pas këtyre ndryshimeve kushtetuese. Ajo mund të quhej një ‘republikë berishiane‘, sepse ndryshimet që bëhen sot në Kushtetutë bëhen të gjitha në funksion të forcimit të jashtëzakonshëm të pozitave të Kryeministrit dhe në kurriz të parlamentarizmit, në kurriz të të gjitha institucioneve kushtetuese që janë garantë për të drejtat themelore të qytetarëve të këtij vendi sot", tha Meta. Kreu i LSI-së u bëri me dije ligjvënësve të Kuvendit se veprimi që po bëjnë në dëm të Kushtetutës është "një veprim që i bën ata viktima të një afere shumë të madhe dhe shumë të fëlliqur midis Sali Berishës dhe Edi Ramës, dhe po merrni përgjegjësitë për një Kushtetutë, që në rast se do të miratohet nga ju sot, do të quhet Kushtetuta e Sali-Ramës ose ndryshe, Kushtetuta e Gërdecit, ku gjenden peng që të dy tashmë". Sipas tij, kjo është goditja më e madhe që i jepet të gjitha institucioneve kushtetuese në vend, që janë garantë për mbrojtjen e të drejtave themelore të çdo qytetari shqiptar. Meta e cilëson pozicionin e kreut të shtetit si mbipartiak, duke e lidhur këtë edhe për shkak të mënyrës së zgjedhjes të caktuar në Kushtetutën e deritanishme. Sipas Metës, këto kanë qenë garancia për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve në këtë vend.