Meta-Krivokapiç: Minoritetet, urë bashkimi
Gjatë vizitës në Malin e Zi, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prita nga kryetari i Parlamentit të Malit të Zik Ranko Krivokapiç. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rolin që luajnë deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi dhe shprehën bindjen se procesi i përfshirjes të tyre në të gjitha nivelet e administratës qendrore e lokale duhet të vazhdojë, duke u mbështetur në Kushtetutën e vendit dhe konventat ndërkombëtare. Ata vlerësuan gjithashtu edhe rolin bashkëpunues të minoritetit malazez në Shqipëri me pushtetin qendror dhe lokal. Meta dhe Krivokapiç evidentuan rëndësinë e shkëmbimeve ndërparlamentare për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit politik duke theksuar kontributin e rëndësishëm të dy parlamenteve ndaj nxitjes dhe ecurisë së proceseve integruese të përbashkëta rajonale dhe euroatlantike. Në këtë kuadër, mes palëve u shpreh vullneti për intensifikimin e kontakteve mes komisioneve të ndryshme parlamentare të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Gjatë takimit u theksua historia e përbashkët e dy vendeve, si dhe zhvillimi dinamik i marrëdhënieve shumëplanëshe gjatë viteve të fundit, si një bazë solide për të zgjeruar hapësirat e bashkëpunimit dypalësh dhe perspektivën e përbashkët euroatlantike.