E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta, takim me përfaqësuesit politikë shqiptarë në Mal të Zi



Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë vizitës në Malin e Zi, u takua me përfaqësuesit politikë të popullsisë shqiptare. Meta u takua me drejtuesit e partive kryesore shqiptare, respektivisht me kryetarin e Partisë Unioni Demokratik i Shqiptarëve, z. Ferhat Dinosha; kryetarin e Alternativës Shqiptare, z. Gjergj Camaj; kryetarin e Lidhjes Demokratike, z. Mehmet Bardhi; kryetarin e Partisë Forca e Re Demokratike, z. Nazif Cungu dhe përfaqësuesit e Koalicionit Perspektiva, z. Amir Hollaj e z. Vesel Sinishtaj. Në këto takime u diskutua gjerësisht në lidhje me zhvillimet e brendshme dhe proceset integruese të vendit. Meta, duke konfirmuar mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, theksoi rëndësinë e unitetit të faktorit shqiptar në Malin e Zi dhe inkurajoi vazhdimësinë e kontributit të tyre në forcimin e demokracisë parlamentare në vend. Në këtë kuadër u nënvizua nevoja për përfshirjen e plotë të shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës qendrore e lokale. Ministri i Punëve të Jashtme u takua edhe me drejtuesit e Komunës në Tuzit, kryetarin z. Smail-Maliq Çunmulaj, kryetarin e Kuvendit Komunal, z. Nikollë Camaj, si dhe me kryetarin e Komunës së Ulqinit, z. Gëzim Hajdinaga. Duke theksuar bashkëpunimin shumë të mirë me Malin e Zi, Meta shprehu vëmendjen e veçantë që qeveria shqiptare i kushton realizimit të projekteve të përbashkëta në fushat e infrastrukturës, energjitikës, mjedisit dhe turizmit, si dhe vullnetin për konkretizimin e projektit për mbrojtjen e liqenit të Shkodrës dhe zonës përreth duke përfshirë edhe lumin e Bunës. Gjatë këtyre takimeve, u diskutua rreth projekteve që do të ndihmojnë në thellimin e shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit ekonomik në të dy anët e kufirit. Ai theksoi rëndësinë e rrugës Lezhë-Velipojë-Ulqi, duke veçuar ndërtimin e urës mbi lumin Bunë, si dhe të rrugës Pllavë-Podgoricë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›