PDU, Shpëtim Idrizi, thirrje Muhedinit për bashkim
Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i bëri dje thirrje kreut të PDI-së, Tahir Muhedini, që të bashkohen në një parti të vetme, në emër të idealit të përbashkët që ndajnë këto dy parti. Idrizi ndodhej dje në qytetin e Delvinës ku përpara qindra qytetarëve theksoi nevojën e bashkimit politik të forcave që kanë të njëjtin qëllim. Idrizi u shpreh i bindur se PDI do t’i përgjigjet shpejt kësaj thirrjeje për bashkim. “Gjej rastin që nga kjo tribunë t’i bëj një thirrje publike Tahir Muhedinit që të bashkohemi. Ato që na ndajnë, janë shumë të vogla përpara idealit të madh, amanetit të të parëve që duhet të na bashkojë. Le të bashkojmë mendjet, zemrat, forcat për hir të Çamërisë sonë, gjakut e vuajtjeve të të parëve tanë. Unë jam i bindur që ai do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje dhe shumë shpejt do të jemi bashkë”, - deklaroi Idrizi. Në këtë takim në Delvinë, kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi, u bëri thirrje të gjithë çamëve, por jo vetëm, të gjithë atyre që kanë në zemër çështjet kombëtare, që të bashkohen nën një strehë të vetme politike, Partia Drejtësi dhe Unitet. “Ne do të punojmë pa u lodhur që komuniteti ynë të bashkohet rreth PDU-së si mbrojtëse e interesave te tyre. E majta dhe e djathta kanë shumë çështje për t’u marrë e për të zgjidhur. Ne kemi 20 vjet që presim zgjidhje. Sigurisht që i falënderojmë për ndonjë përparim të bërë. Por, ne nuk presim më. Unë ju ftoj që nëpërmjet PDU-së, ne ta marrim vetë fatin tonë në dorë, të majtë e të djathtë të bashkohemi siç u bashkuam unë dhe Dashi për kauzën tonë të përbashkët”, - tha më tej Idrizi. Simpatizantët e partisë pritën me interes krijimin e kësaj force politike. PDU ka nisur turin në të gjitha rrethet e Shqipërisë për përhapjen e vizionit që ka kjo parti për të mbrojtur çështjet kombëtare në tërësi dhe çështjen çame në veçanti. Kjo parti ka një program ku në qendër të tij është interesi kombëtar, bashkëpunimi mes të gjithë shqiptarëve në Ballkan e më gjerë. PDU mbështet idenë e Arbën Xhaferrit, për krijimin e një komunuellthi ekonomik mes shqiptarëve në Ballkan.