E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Kuvendi të mbështesë projektligjin për moshën e tretë

LSI dorëzoi dje në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin “Për kujdesin e moshës së tretë”. 

Ky projektligj, i hartuar nga ekspertët më të mirë të LSI, në bashkëpunim të ngushtë me disa profesorë dhe me Sindikatën e Pensionistëve të Shqipërisë, synon të rrisë kujdesin e shoqërisë dhe shtetit ndaj moshës së tretë, duke i ofruar kësaj shtrese të respektuar dhe shumë të përvuajtur, më shumë shërbime, trajtime dhe pagesa, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e standardit të tyre të jetesës dhe lehtësimin e efekteve të moshës. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, pas dorëzimit në Parlament të nismës ligjore të partisë që drejton, kërkoi angazhim serioz nga deputetët, në respekt të kësaj kategorie të shoqërisë. “LSI beson se Parlamenti shqiptar duhet të angazhohet seriozisht në diskutimin dhe miratimin e kësaj nisme, që jo vetëm përmirëson gjendjen ekonomike, por në radhë të parë vë në vend dinjitetin e një shtrese të shoqërisë shqiptare, të diskriminuar ndër vite. Projektligji që kemi dorëzuar sot në Kuvend është tepër i rëndësishëm, sepse rrallëherë ndodh që një projektligj në Parlament të ndikojë në përmirësimin e standardit të jetesës së mbi 400,000 familjeve shqiptare, familje, të cilat janë sot shtresa më e varfër e shoqërisë shqiptare”, tha Meta.
Nisma e LSI kaloi përmes një diskutimi të gjerë në të gjithë vendin. Drejtuesit e saj, ndërmorën takime të gjera me përfaqësues të moshës së tretë, ku diskutuan rreth këtij projektligji, pas të cilit kanë bërë dhe përmirësimet e kërkuara nga ky ballafaqim. Kryetari i LSI-së ftoi të gjithë deputetët e Kuvendit, madje dhe Kryeministrin Berisha të mbështesë këtë projektligj. “I ftojmë të gjithë deputetët e Kuvendit, të zhvishen nga ngjyrat partiake, të ngrihen mbi dallimet politike të momentit, dhe të mbështesin këtë projektligj për moshën e tretë, sepse është detyra jonë e parë dhe në dinjitetin tonë si përfaqësues të popullit, që të përkrahim këtë shtresë të nderuar të shoqërisë shqiptare. Ftoj qeverinë Berisha të solidarizohet me këtë nismë dhe të mbështesë pa hezitim kalimin e këtij projektligji në Kuvend”, tha Meta. Sipas tij, ky projektligj nuk duhet të përdoret politikisht. Ky projektligj nuk ka ngjyra politike. Ky projektligj është një detyrim brezash, një detyrim i shoqërisë për moshën e tretë”. Sipas LSI-së, kosto financiare e parashikuar në këtë projektligj është e konsiderueshme, rreth 70 milionë $ në vit dhe për këtë arsye, kjo forcë politike sugjeron që qeveria të studiojë me kujdes mundësitë për aplikimin hap pas hapi të atyre shërbimeve, që mund të përballohen nga buxheti i shtetit, duke hartuar për këtë qëllim një plan veprimi qeveritar të shtrirë në vite.                     a.l.

Projektligji parashikon:

Ngritjen e Qendrave të Përkrahjes së moshës së tretë pranë pushtetit vendor dhe burimet e financimit të tyre

Të drejtën për strehim me prioritet

Të drejtën për transportin urban me pagesë të reduktuar ose pa pagesë

Shërbimin shëndetësor në institucione shëndetësore apo shtëpi pa pagesë

Mbështetjen financiare për të paaftët që jetojnë në një banesë me moshën e tretë.

Pagesën e një pensioni mujor të trembëdhjetë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›