E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi 2.5 milionë euro, italianët ankohen tek Oketa

Skandalet me tenderat në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kanë të sosur. Kësaj here bëhet fjalë për furnizimin me aparatura të reja të Spitalit Ushtarak. 

Zirina Llambro

Një tender 2.5 milionë euro, me kredi nga Kooperacioni italian do të mundësonte blerjen e një sërë pajisjesh mjekësore të rëndësishme. Që para çeljes së garës të caktuar më 28 mars, disa prej firmave pjesëmarrëse hodhën dyshime mbi mënyrën sesi u përcaktuan kushtet e saj dhe specifikimet e aparaturave. Ndonëse kanë kaluar gati dy muaj gjithçka ka mbetur pezull, shoqërive konkurruese nuk i është dhënë asnjë përgjigje nëse tenderi është fituar apo është bllokuar. Përballë këtij indiferentizmi, por edhe me një sërë argumentesh për shkelje procedurale, njëra prej këtyre shoqërive, “FORTUNE S.R.L” me seli në via A.Volta 77 19124 La Spezia, Itali i ka nisur një notë proteste ministrit të Mbrojtjes Gazmend Oketa, të cilit i është kërkuar anulimi i këtij tenderi. Në letër janë radhitur një sërë arsyesh dhe mban firmën e presidentit të shoqërisë “Fortune S.R.L”, Marco Bragoni. Gjithashtu, është theksuar se pengesat kanë dëmtuar konkurrencën e lirë të shoqërive pjesëmarrëse. Por, edhe pse ka më shumë se një javë që kjo letër ka mbërritur në dyert e ministrisë, ende as prej këtij dikasteri nuk ka pasur ndonjë përgjigje.
Ankesat
“Me anë të kësaj letre, ankohemi për vonesën e tejkaluar me të cilën na janë dhënë përgjigjet e pyetjeve të bëra bazuar në nenin 13 të instruksioneve për tenderat. Shoqëria jonë ka kërkuar sqarime me fax drejtuar Spitalit Ushtarak më datë 18/02/2008 dhe 03/03/2008, por përgjigjet përkatëse nuk na janë kthyer kurrë nëpërmjet mjeteve normale të komunikimit”, thuhet në letër. Nga sa është shkruar në të, përgjigjja nga Spitali Ushtarak ka mbërritur në adresë të shoqërisë pas datës 13 mars (afati përfundimtar për përgjigjen sipas kontratës) “Kjo vetëm pas kërkesave insistuese dhe të përsëritura telefonike, por edhe përgjigjeve sqaruese vetëm për një pjesë të pyetjeve tona”, thekson letra. Një tjetër argument i firmës është edhe reduktimi i ditëve të përcaktuara për konkurrentet për kryerjen e një vizite në spitalin, ku do të bëhet investimi. Përgjysmimi i këtyre ditëve sipas “Fortune S.R.L” është bërë në kundërshtim me rregullat e kalendarit të tenderit. “Në nenin.2 (Kalendari i tenderit) thuhet që afati i fundit për të kryer vizitën në ambientin e investimit është “21 ditë përpara datës së dorëzimit të ofertave”, në kundërshtim me nenin 14.1, ku ky afat është reduktuar në njëmbëdhjetë ditë dhe më saktë: “Përpara se të paraqesin ofertën e tyre, dhe jo më shumë se 11 dite përpara datës së paraqitjes së ofertave, ofertuesit duhet të paraqiten pranë Qendrës Kombëtare të Traumave me qëllim që të verifikojnë përputhshmërinë e furnizimit që kanë ndërmend të paraqesin (…)”. Edhe ky tregues i gabuar ka gjeneruar tek firma jonë jo pak motive mëdyshje për mënyrën që duhej ndjekur”, thuhet në letrën dërguar ministrit të Mbrojtjes. Nga ana tjetër, shoqëria pretendon se zhvendosja e datës përfundimtare për dorëzimin e zarfeve me specifikimet e aparaturave ndodhi pa një njoftim të përshtatshëm në shtypin italian, ashtu siç ndodhi për shpalljen e tenderit. “Edhe pse orari brenda së cilit duhej të paraqiteshin zarfet ishte shtyrë më parë për në orën 14:00, të ngarkuarit tonë për dorëzimin, që u paraqit sipas rregullit para orës 12:00, iu tha që mund t`i dorëzonte plikot brenda orës 14:00, fatmirësisht ky i fundit nguli këmbë që kjo të ndodhte në atë moment dhe jo më vonë. Kjo rrethanë mund të ketë paragjykuar pjesëmarrjen e shoqërive të tjera duke shkelur në këtë mënyrë konkurrencën e lirë siç parashikohet në nenin 24.2 shkronja e)”, thekson firma italiane. Sipas saj, nuk është e thënë nga Autoriteti tenderues, në dokumentet e tenderit, e drejta për të shpallur fituesin e secilit prej loteve (aparaturave), pa bërë vlerësimin e përshtatshmërisë, edhe në prani të një oferte të vetme. Pra, duhet të jetë Spitali Ushtarak, autoriteti që  duhet t’i shpallë fituesit e tenderave, pasi të ketë verifikuar përshtatshmërinë e secilës prej aparaturave”. Të gjithë arsyet e paraqitura më sipër na bëjnë të mendojmë që veprimet e vlerësimit të bëra deri më tani, janë tërësisht të gabuara në dëm të shoqërisë tonë, e cila duke paraqitur këtë ankesë, kërkon anulimin e veprimeve të kryera, kthimin e plikove që nuk janë hapur akoma të gjithë pjesëmarrësve dhe botimin e tenderit të ri”, përfundon letra. Në artikullin e publikuar nga gazeta në muajin mars, ku hidheshin dyshime për procedurat e tenderit, disa nga firmat u shprehën skeptike edhe për komisionin vlerësues. Sipas informacioneve të tyre, pjesë e këtij komisioni do të ishin po të njëjtët persona që kanë bërë specifikimet teknike të aparaturave, çka bie sipas tyre, ndesh me ligjin e prokurimit publik. Ky ligj përjashton automatikisht pjesëmarrjen e tyre në tender.

Firmat paralajmëruan që në mars abuzimet

Në shkrimin e publikuar më 27 maj “Ushtaraku, hije dyshimi për tenderin 2.5 milionë euro”, gazeta parashtroi një sërë ankesash të bëra nga disa prej firmave konkurruese. “Gara po pilotohet për kompani të veçanta. Dyshojmë se po abuzohet me mënyrën se si janë përcaktuar kushtet e garës dhe specifikimet e aparaturave”, pohuan  përfaqësuesit e firmave. Ata sqaruan se, për aparatura (lote) të veçanta specifikimet teknike bien ndesh me kushtet paraprake të futjes në garë. “Kështu, nëse për t’u futur në tender është vënë kusht që aparaturat duhet të jenë 100% prodhim italian, në mënyrën sesi janë bërë specifikimet teknike të tyre rezulton se kriteret i përmbush vetëm një firmë franceze, gjë që bie në kontradiktë”, kanë sqaruar përfaqësuesit. “Një tjetër fakt që na bën të dyshojmë për transparencën e tenderit është edhe paracaktimi i fituesve për disa aparatura. Kështu për mikroskopin elektronik që do të blihet, sipas specifikimeve për kushtet teknike që ai duhet të plotësojë përpara se të hapet tenderi, rezulton se është vetëm një kompani që përmbush këto kritere. Ajo ekskluzivitetin e saj ia jep vetëm një firme bareze. Çka do të thotë se, përpara se të hapet tenderi dihet se kush e ka fituar”, pretenduan asokohe përfaqësuesit e firmave.

Aparaturat për spitalin, u dogjën 6 milionë euro

Për vitin 2007, Ministria e Shëndetësisë dogji të gjithë tenderat për blerjen e aparaturave. Vlera e tyre arrinte në plot 6 milionë dollarë. Fondi i akorduar nga buxheti i shtetit do të përdorej për blerjen e pajisjeve shumë të shtrenjta, shumë prej të cilave në QSU, në spitalin e Shkodrës dhe Sanatorium. Por, nuk ndodhi  kështu. Tenderët dështuan dhe fondi përfundimisht u dogj. Shuma e akorduar nga buxheti i shtetit do të ndahej në 3 zëra. Rreth 2 milionë dollarë do të përdoreshin për blerjen e aparaturave ne spitalin “Nënë Tereza”, ndërsa pjesa tjetër për Sanatoriumin dhe spitalin e Shkodrës. 

Akuzë e re për drejtorin e Mbrojtjes

Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës formulon akuzën e dytë për dosjen penale ndaj ish-drejtorit të Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani.

Trazhgim Sokolaj

 Ish-shefi i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes u arrestua më 3 maj 2008 për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Akuza ndaj tij është ngritur pas përgjimit të dy numrave të celularit që përdorte Madani gjatë bisedave me përfaqësuesen e “Nitromak Albania” sh.p.k., Aurela Çota, e cila dyshohet se ka luajtur rolin e sekseres. Ajo hetohet në masë e sigurisë “arrest shtëpie”. Zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, u akuzua nga Prokuroria se kishte marrë ryshfet nga dy kompani, të cilave u kishte dhënë lejen e importit dhe tregtisë së lëndëve eksplozive. Njësia Task-Force gjatë hetimeve të saj, ka ngritur edhe një akuzë tjetër për këtë çështje. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë, të cilat thanë dje për gazetën “Panorama” se akuza e dytë e ngritur në kuadër të kësaj dosje, është “prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”. Kjo akuzë e re, sipas Prokurorisë, u atribuohet përfaqësuesve të firmave “Nitromak Albania” sh.p.k., të cilët dyshohet se kanë kryer veprime me ngarkesa të ndryshme tritoli, para se të pajiseshin me lejen dhe licencën përkatëse nga Ministria e Mbrojtjes. Për sigurimin e kësaj leje, kompania “Nitromak Albania” sh.p.k., kishte depozituar një kërkesë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes rreth muajit nëntor 2007. Hetimet tregojnë se pas vonesave dhe zvarritjeve në trajtimin e kërkesës së bërë nga “Nitromak Albania”, përfaqësuesja e kësaj kompanie Aurela Çota, ka hyrë në kontakt me drejtorin e Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani. Burimet zyrtare të Prokurorisë, treguan se mes Drejtorit të arrestuar të Ministrisë së Mbrojtjes dhe përfaqësueses së “Nitromak Albania”, është krijuar një marrëdhënie korruptive. Për zbardhjen e saj, Prokuroria ka përgjuar katër numra telefoni, dy nga të cilët ishin në përdorim të drejtorit Shkëlzen Madani dhe dy të tjerë në përdorim të Aurela Çotës. Sipas Prokurorisë, një pjesë e mirë e bisedave lidhur me korrupsionin në dhënien e lejeve dhe licencave për importin, tregtimin dhe magazinimin e eksplozivëve janë zhvilluar përmes këtyre katër telefonave celularë, që janë mbajtur në përgjim me vendimet përkatëse të gjykatës për një kohë relativisht të gjatë.
Korrupsioni
Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, filloi hetimet më 3 janar 2008 pas denoncimit të bërë në polici nga një biznesmen. Ai pretendoi se, në Ministrinë e Mbrojtjes po abuzohej me dhënien e lejeve të tregtimit të tritolit. Prokuroria filloi hetimet, duke hapur dosjen nr.3 për këtë abuzim, si dhe duke marrë në hetim personat që kishin për kompetencë dhënien e lejeve të importit e tregtimit të lëndëve eksplozive për përdorim civil. “Objekt i hetimeve janë parregullsitë e konstatuara në prodhimin, administrimin dhe kontrollin e lëndëve plasëse, që përdoren nga shoqëritë operuese në ndërtimin e autostradës Durrës–Kukës-Morinë, segmenti Rrëshen–Thirrë si dhe mënyra e pajisjes së tyre  me lejet përkatëse nga Komisioni i Dhënies së Lejeve të Lëndëve Plasëse për Përdorim Civil, në Ministrinë e Mbrojtjes”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, nga hetimet ka rezultuar se shoqëria “Nitromak Albania” sh.p.k., me pronar shtetasin turk Nihat Sobaçi, ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes të marrë zgjatjen e afatit te kontratave të qirasë së depove të ushtrisë në Borizanë të Krujës, lejet e importit të lëndëve plasëse për vitin 2008, si dhe zgjatjen e afatit të kontratës me Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekëz–Elbasan, për blerjen e lëndëve plasëse nga ky institucion. Sipas hetimeve, dhënia dhe mbajtja e depove ushtarake në përdorim nga firmat private, dyshohet se është bërë kundrejt shumave të ryshfetit, që janë përfituar nga Shkëlzen Madani dhe koloneli Kadri Suli, shef i Brigadës Logjistike të Ushtrisë.

“Koloneli i ushtrisë korrupsion me depot që iu dhanë me qira privatëve”

TIRANE – Mbrëmjen e 3 majit 2008, bashkë me drejtorin e Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, policia me urdhër të Prokurorisë, arrestoi edhe kolonelin Kadri Suli. Pak kohë para arrestimit, ai ishte shkarkuar nga detyra prej ministrit të Mbrojtjes Oketa, i cili e konsideroi kolonelin përgjegjës në kuptimin administrativ për tragjedinë e Gërdecit. Mirëpo, në hetimin e skandalit me dhënien e lejeve për tregtim eksplozivi, koloneli Kadri Suli, sipas Prokurorisë së Tiranës, ishte përfshirë në kryerjen e veprimeve korruptive me dy firmat “Nitromak Albania” sh.p.k., dhe “Geoconsult” sh.p.k. Prokuroria tha se, këto dy kompani, pasi kishin marrë lejet përkatëse përmes korrupsionit nga Shkëlzen Madani, kishin kërkuar ambiente për magazinimin e eksplozivit që do të sillnin në Shqipëri me qëllim që ta shisnin më pas, tek subjekti që po ndërton rrugën Durrës-Kukës. Për këtë, është futur në veprim koloneli Kadri Suli, i cili mësohet se, u ka dhënë firmave dy ambiente nga 190 metra katrorë secila. Ambientet e dhëna me qira sipas Prokurorisë, me parregullsi dhe kundrejt ryshfetit, i përkasin depove të ushtrisë në Borizanë në Krujës. Sipas hetimeve të Prokurorisë, të zhvilluara për më tepër se tre muaj me radhë, dhënia e depove të ushtrisë për shfrytëzim nga kompanitë private është bërë me shkelje të procedurave ligjore si dhe kundrejt pagesës së shumave të ndryshme të ryshfetit. Organi i akuzës ka zbuluar se përveç shumës së deklaruar të qirasë mujore, që firmat paguanin në arkën e ushtrisë shqiptare, pagesa të tjera ekstra janë bërë dhe kanë shkuar në adresë të zyrtarëve të arrestuar me akuzën e korrupsionit. Për veprimet e paligjshme dhe korruptive të kryera, gjatë hetimeve të saj, Prokuroria veç dy zyrtarëve kërkoi edhe arrestimin e përfaqësuesve të dy firmave private, që kishin ofruar ryshfet. Në këtë mënyrë, menjëherë pas arrestimit të Shkëlzen Madanit dhe Kadri Sulit, policia e Tiranës dhe sektori i Antikrimit Ekonomik dhe Korrupsionit, arrestoi edhe Ferdinand Hodon, përfaqësues i “Geoconsult” sh.p.k., dhe Aurela Çotën, përfaqësuese e filialit të kompanisë turke në Shqipëri, “Nitromak Albania”. Për këtë çështje, Prokuroria ka marrë në pyetje Aurela Çotën, e cila ka treguar para prokurorëve se, kishte bërë pagesa të ndryshme ryshfeti tek zyrtarët e arrestuar me qëllim përmbushjen e qëllimeve të saj. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›