E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga, groposi 20 mijë fishekë

Për t'i shpëtuar dhunës së burrit të saj, zbulon në polici arsenalin e municioneve që ai mbante të groposur. 

BERAT / DILAVER XHELILI

Plot 27 arka me fishekë gjetën forcat e rendit, të zhytura në tokë, pranë banesës së Dashnor Rolit, në lagjen Uznovë të qytetit. Aksioni u zhvillua paraditen e djeshme në shtëpinë e 42-vjeçarit, të cilit iu vunë prangat menjëherë. Burime zyrtare të policisë pohuan se ata kishin regjistruar një denoncim ndaj Rolit prej së shoqes, sipas së cilës ai kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tij, pas një grindje mes tyre. Çifti, prindër të 4 fëmijëve kishte pasur shpesh debate, por sipas gruas ajo ishte detyruar të kërkonte ndihmën e policisë pasi nuk mund të duronte më keqtrajtimin. Për këtë arsye është nisur drejt Komisariatit të policisë së Beratit, duke kallëzuar dhunën. Për të implikuar dhe më tepër të shoqin në vepra të kundërligjshme ka shkuar deri në zbulimin e "sekretit" të tij 11-vjeçar. Ajo ka treguar për policinë se i shoqi kishte groposur në tokë, pranë garazhit shumë fishekë. Forca të shumta të policisë janë drejtuar drejt banesës së familjes Roli, bashkë me lopata në duar. Shumë shpejt, në prani dhe të çiftit kanë nxjerrë jashtë njëra pas tjetrës arkat me fishekë. Rreth orës 13:00, policia kishte numëruar plot 27 copë arka me municione. Sipas policisë brenda tyre u gjet një sasi prej 19440 copë fishekë automatiku dhe pistolete, prodhim kinez. Menjëherë policia bllokoi sasinë e fishekëve, duke bërë arrestimin në flagrancë të 42-vjeçarit. Nga dëshmia e tij e bërë në polici mësohet se municionet i kishte marrë gjatë trazirave të vitit 1997, duke gjetur si mënyrën më të sigurt të fshehjes së tyre groposjen pranë shtëpisë. Roli është izoluar në komisariat me akuza e mbajtjes pa leje të municioneve ushtarake dhe ushtrimit të dhunës ndaj bashkëshortes, për të cilat po kryhen hetime intensive, deri në plotësimin e çështjes. Materialet në ngarkim të Dashnor Rolit i kaluan Prokurorisë së Rrethit, për të hedhur dritë mbi akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›