E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma, naftëtarët e Gorishtit në protestë

VLORE - Vendimi i qeverisë për kryerjen e reformës në kompanitë e naftës "Albpetrol" dhe "Armo" ka nxjerrë në protestë dje punonjësit 

e ndërmarrjes së Gorishtit në Vlorë. Mësohet se pjesëmarrës në protestën e organizuar në Vllahinë nga sindikata e naftëtarëve kanë marrë pjesë 80 punonjësit e prekur nga reforma. Protestuesit kanë kërkuar që reforma të kryhet në bazën e kritereve të ligjshme dhe jo në bazë të përkatësive politike. Sipas tyre, pushimi nga puna i një numri të madh punonjësish ka ardhur jo si rrjedhojë e kritereve të vendosura, por e pozicionimeve politike të tyre. "Ne jemi dakord me reformën, por ajo që ne duam është që kjo reformë të jetë e drejtë. Nuk mund të hiqet nga puna një punonjës 30-vjeçar i kësaj ndërmarrje",  deklaruan ata. Përgjatë protestës, punëtorët i kanë bërë thirrje qeverisë, Prokurorisë dhe organeve kompetente të mbikëqyrin procesin e zhvillimit të kësaj reforme që të gjitha etapat e saj të kryhen në bazë të ligjit. Ata kanë kërcënuar se nëse nuk merren masa do të bllokojnë rrugën për në ndërmarrje e nuk do të lejojnë më të hyjë askush në të. Ndërsa protesta e djeshme ka qenë paqësore, punëtorët e naftës kanë deklaruar se do të vijojnë me këtë protestë me qëllim që të respektohet ligji dhe reforma të jetë e drejtë në bazë të kritereve të vendosura. Reforma e ndërmarrë në kuadër të ristrukturimit dhe privatizimit të kompanive "Albpetrol" dhe "Armo" do të prekë 1700 punonjës, prej të cilëve 80 të ndërmarrjes së Gorishtit.         q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›