E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimet në administratë, fatura 350 milionë lekë

Vetëm nga shkarkimet dhe largimet pa kriter në Drejtorinë e Tatimeve, fatura e shtetit shkon në 113 milionë lekë. 

BLEDAR HOTI

Ky ka qenë konstatimi i bërë nga ana e anëtarëve të Komisionit të Shërbimit Civil në lidhje me lëvizjet në administratën shtetërore. Një qëndrim i tillë është mbajtur nga ana e anëtarit të Komisionit të Shërbimit Civil, Sajmir Mani, në paraqitjen e raportit përpara Komisionit parlamentar të Ligjeve. “Ndërsa në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve detyrimet nga moszbatimi i vendimeve ka qenë rreth 63 milionë lekë të reja. Dhe çdo muaj këto detyrime shtohen me rreth 50 milionë lekë të reja”, deklaroi Mani. Ai theksoi se “një çështje që unë e kam ngritur dhe në komision, është konkretisht Ministria e Financave deri në atë kohë që ne kemi bërë llogaritjet deri në fund të qershorit të 2007 ka pasur rreth 20 milionë lekë të reja detyrime që shtohen nga moszbatimi i vendimeve”. Kjo shifër në merret e mirëqenë i bie që për shtatë muaj fatura e shtetit është 350 milionë lekë. Ndërsa kryetarja Mimoza Hysenaj në deklarimet përpara deputetëve bëri të qartë se KSHC-ja nuk ka forcën e duhur ligjore për të detyruar institucionet për të kthyer të larguarit pa bazën ligjore në punën e tyre. “Në ligj thuhet se vendimet e komisionit janë të detyrueshme për zbatim, por në fakt nuk jepet asnjë mjet sesi duhet të ekzekutohen këto vendime. Këtu është një mangësi e ligjit ku dhe duhet të ndërhyhet”, theksoi Hyseni. Ajo i është përgjigjur edhe pyetjeve të deputetit të PS-së, Bashkim Fino, në lidhje me rënien e numrit të ankimeve në krahasim me vitin e kaluar. “Rënia e numrit të ankesave ka ardhur për shkak se në vitin 2006 ishte dyfishi i ankesave që janë paraqitur në Komisionin e Shërbimit Civil në krahasim me vitin 2007, sepse në vitin 2006 u bë ristrukturimi i plotë i institucioneve dhe kjo solli shkurtime të mëdha të vendeve të punës dhe prandaj dhe ankesat ishin më të mëdha se në vitin 2007”, deklaroi Hyseni. Ndërsa në lidhje me vonesat në afate, u bë e ditur se kanë arsye të ndryshme, por një nga këto arsye është se ankesat nuk vijnë në të njëjtën kohë. Mani më pas ka bërë edhe ekspozenë për mënyrën e rekrutimit në punë në administratën e lartë. “Unë nuk kam qenë dakord me raportin, pasi procesi i rekrutimit të punonjësve është shkelur ligji me të dyja këmbët. Ligji nuk funksionon në themelin e tij, pasi të gjithë shembujt që dalin në rekrutimin e personelit në administratën publike, pothuajse rreth në 99 për qind në ministritë punonjësit rekrutohen me akte emërimi, pra shkelet hapur ligji për procedurat e konkurrimit. Pasi kalojnë disa muaj ata formalizohen me procese konkurrimi. Bile edhe në rastet kur është nënshkruar kontrata më pas është bërë konkursi”, theksoi Mani.

shifrat e raportit

Për vitin 2007 janë ankuar pranë këtij institucioni për shkarkime të padrejta nga puna 380 nëpunës.

Nga kjo shifër 352 janë shqyrtuar nga Komisioni i Shërbimit Civil.
Në raport thuhet se numri i ankesave, në krahasim me dy vite me parë është 50% më i ulët.

Numrin më të madh të ankesave të zgjidhura për vitin 2007 e kap Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku janë zgjidhur 150 ankesa.

Në favor të nëpunësve civilë në 2007-ën janë zgjidhur 118 ankesa, ndërsa kundër tyre janë zgjidhur 159 ankesa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›