Rrugët, 13 vjet burg 7 të akuzuarve
Fatos Mahmutaj
Gjykata jep 13 vite e gjysmë burg, 62 milionë lekë gjobë dhe moslejimin për të ushtruar detyra shtetërore nga 3 deri në 5 vjet për të akuzuarit e "Duarve të pastra".
Vendimi u shpall dje në Gjykatën e Tiranës, ku trupi gjykues e gjeti fajtor ish-zëvendësministrin e Transporteve Nikolin Jaka për "ushtrim ndikimi të paligjshëm" dhe e dënoi me 19 muaj burg, 1.2 milionë lekë gjobë dhe heqjen e së drejtës për dy vjet, për të mbajtur poste shtetërore dhe për të ushtruar funksione publike. Për ish-drejtorin e Rrugëve, Ilirjan Berzani gjykata akordoi 3 vjet burg si dhe 2.4 milionë lekë gjobë dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet, nën akuzën "korrupsion pasiv". Për Arjan Shetin, drejtor i Drejtorisë Juridike në Drejtorinë e Rrugëve, gjykata dha 2.5 vjet burg, 600 mijë lekë gjobë dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar detyra shtetërore për tre vjet, nën akuzat e "shkeljes së barazisë në tendera" dhe "korrupsion aktiv"; për Bashkim Kamberin, drejtor i Prokurimeve në Drejtorinë e Rrugëve u dhanë 19 muaj burg për "shpërdorim detyre"; ndërsa për Xhevahir Muçogllavën, drejtor i Koordinimit në Ministrinë e Transporteve u akorduan 1.5 vjet burg për "shkelje të barazisë në tendera". Nga dënimi i djeshëm, gjykata nuk kurseu as dy biznesmenët që kërkuan favore për tenderët e rrugëve. Kështu, Isuf Ukperaj e Skënder Bokçiu, sipas trupit gjykues janë fajtorë për "korrupsion aktiv" dhe duhet të vuajnë nga 19 muaj burg, secili dhe nga një milion lekë gjobë.
Argumentimi
Në dhënien e këtyre masave të dënimit, gjykata pati parasysh faktin se ndaj të pandehurve është aplikuar gjykimi i shkurtuar, si pasojë e të cilit ata përfitojnë ulje të një të tretës së dënimit. Ndërsa, një e treta e pjesës së mbetur të dënimit u zbritet të pandehurve për faktin se, ata ndodhen të paraburgosur dhe se një ditë e kaluar në qelitë e paraburgimit llogaritet me 50 për qind më tepër se një ditë burg. Sipas vendimit të djeshëm, të pandehurit që u dënuan me 19 muaj burg, përfshi edhe ish-zëvendësministrin, do t'iu duhet të vuajnë në burg nga një vit e 20 ditë burg. Gjatë seancës së djeshme në sallën e gjyqit të katit të parë të gjykatës vihej re prania e madhe e familjarëve dhe të afërmve së të pandehurve. Pikërisht kryerja e procedurave nga policia me personat e shumtë, u bë shkak që seanca gjyqësore të niste rreth 10 minuta me vonesë, ndërsa trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Martin Deda dhe anëtarë Ilir Çeliku dhe Altin Abdiu shpalli vetëm diapozitivin e vendimit.
Procesi
Shtatë të akuzuarit e këtij procesi u prangosën në shtator të vitit të kaluar, të akuzuar për paracaktimin e firmave që do fitonin disa tenderë të rëndësishëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, mes të cilëve atë 440 milionë lekë për ndërtimin e rrugës Has-Qafë Prush. Në konkluzionet që lexoi rreth një muaj më parë organi i akuzës i kryeqytetit pohoi se, të pandehurit i kanë konsumuar gjatë verës së vitit të kaluara veprat penale për të cilat, u kërkuan në total 19 vjet burg. Prokurorët pohuan se gjatë një takimi që ka pasur Ilirjan Berzani me disa përfaqësues të shoqërive të ndërtimit, në zyrat e shoqërisë "Triss Ndërtim" në fund të korrikut të vitit të kaluar kanë paracaktuar firmat që do fitonin tenderin e rrugës paralele me autostradën Tiranë-Vorë; rrugën Himarë e Vjetër-Kthesa e Pilurit dhe Has-Qafë Prush. Pikërisht për rrugën Has-Qafë Prush u arrestuan 7 të akuzuarit, pasi tentuan të nxirrnin fitues bashkimin e tre firmave "Arifaj", "Vllazëria" dhe "Albavia". Në fakt, sipas Prokurorisë, nga nëntë ofertat e paraqitura këto firma ndodheshin në vendin e pestë, pastaj duke bërë korrigjime të paligjshme mbërritën në vendin e tretë, ndërsa duke ofruar ryshfet tentuan vendin e parë.
Prokuroria: Qëndrimi ynë pasi të njihemi me vendimin e argumentuar
TIRANE - Organi i akuzës së kryeqytetit e konsideroi dje, të tepruar uljen e dënimit që bëri gjykata për ish-zëvendësministrin e Transporteve Nikolin Jaka dhe ish-kreun e Rrugëve Ilirian Berzani. Të paktën për Berzanin gjykata vendosi dje t'i hiqte akuzën e "shpërdorimit të detyrës' duke lënë vetëm "korrupsion". Burime të prokurorisë pohuan dje se ende nuk kanë vendosur për të apeluar këtë vendim, pasi Prokuroria nuk është njohur ende me vendimin e arsyetuar dhe të zbardhur të gjykatës. Edhe mbrojtja e disa prej të pandehurve, të kontaktuar dje thanë se do apelojnë vendimin, pasi kërkesa e tyre në përfundim të procesit gjyqësor ka qenë për pafajësinë e të pandehurve. Afati për apelimin e këtij vendimi është 10 ditë, ndërsa pritet që në ditët në vazhdim gjykata t'iu ketë vënë në dispozicion avokatëve, të akuzuarve dhe prokurorisë kopje të zbardhura të vendimit të dënimit në bazë së të cilit ata do të paraqesin në Shkallë të Dytë, kërkesën për pafajësi. Gjatë paraqitjes së pretencës, një muaj më parë organi i akuzës u pohoi shtatë të pandehurve të këtij procesi se u janë përgjuar telefonat për disa muaj me radhë, ndërsa ata komunikonin me njëri-tjetrin, në lidhje me paracaktimin e firmave fituese të tenderëve të disa rrugëve në verë të vitit të kaluar. Prokurorët e çështjes thanë gjatë konkluzioneve se, dy prej të pandehurve gjatë komunikimeve të pak ditëve para se të binin në pranga kanë përmendur në bisedat telefonike të zhvilluara mes tyre faktin se, po përgjoheshin ngaqë kishin vënë re praninë e shtuar të mjeteve të policisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Duke u njohur me këtë fakt, ata sipas akuzës, kanë pohuar se duhet të kishin kujdes dhe të tregoheshin pak më të kamufluar në veprimet që kryenin. Pas kësaj, prokurorët e çështjes Ardian Braho dhe Julian Xhengo paraqitën para gjykatës kërkesën për dënimin e 7 ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për marrje ryshfetesh në tenderët e rrugëve. Kurse, vetë të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre, dy javë më parë pohuan se, ishin të pafajshëm dhe pafajësia e tyre vërtetohej nga dokumentet, që Prokuroria kishte grumbulluar në dosjen hetimore. fa.ma
Dënimet
Nikolin Jaka, ish-zëvendësministër i Transporteve,
19 muaj burg, 1.2 milionë lekë gjobë dhe heqjen e së drejtës për dy vjet për të mbajtur poste shtetërore.
Ilirjan Berzani, ish-drejtor i Rrugëve,
3 vjet burg, 2.4 milionë lekë gjobë dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Arjan Sheti, ish-drejtori Juridik në Drejtorinë e Rrugëve,
2.5 vjet burg, 600 mijë lekë gjobë dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar detyra shtetërore për tre vjet.
Bashkim Kamberi, ish-drejtor i Prokurimeve në Drejtorinë e Rrugëve,
19 muaj burg.
Xhevahir Muçogllava, ish-drejtor i Koordinimit te Rrugët,
1.5 vjet burg.
Isuf Ukperaj, biznesmen,
19 muaj burg e 1 milion lekë gjobë
Skënder Bokçiu, biznesmen,
19 muaj burg e 1 milion lekë gjobë