Meta: LSI është fituese, vendos shumicën
Në qytetin e Cërrikut, në prani të mijëra përkrahësve të saj, LSI dhe kryetari i saj Ilir Meta ka prezantuar Planin për Veprim të saj. Në fjalën e tij në këtë miting, Meta u shpreh se “në 28 qershor fituesja e zgjedhjeve është e majta, sepse fituesja e vërtetë është Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse ajo vendos shumicën e ardhshme parlamentare dhe ajo do të vendosë Qeverinë e ardhshme”. “Ne e kemi thënë në mënyrë shumë të qartë se pas 28 Qershorit do të bëjmë koalicion me Partinë Socialiste dhe na vjen shumë keq për ata të cilët ende nuk prononcohen se me kë do të bëjnë koalicion mbas 28 qershorit. Megjithatë të jeni të sigurt se e majta dhe progresistët do të bashkohen më 29 qershor të gjithë, për t’u bashkuar në një Qeveri për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike dhe për të çuar në pension njëherë e përgjithmonë Sali Berishën, për të larguar varfërinë dhe papunësinë nga Shqipëria”, tha Meta. Duke paraqitur pikat kryesore të programit të LSI-së, Meta tha se askush në këtë fushatë përveç LSI-së, nuk ka paraqitur një program për të nxjerrë vendin nga kriza, nuk ka paraqitur një program për të nxjerrë bujqësinë nga kriza, nuk ka paraqitur një program për të krijuar industrinë agro-përpunuese, nuk ka paraqitur një program për të ulur importet dhe për të rritur prodhimin vendas. “Ne jemi e vetmja forcë politike që sot kemi një program të qartë përpara shqiptarëve, për t’i nxjerrë nga kriza ekonomike dhe një program të qartë që garanton punësim të qëndrueshëm për qytetarët e Cërrikut dhe për të gjithë shqiptarët për katër vitet që vijnë, prandaj ne jemi alternativa e vërtetë që nxjerr shqiptarët nga varfëria dhe nga kriza”, tha Meta. a.l