E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha gënjeu, do t’i heqim vizat brenda 2010

 

Gjirokastër/Pirro Nase

Kryetari socialist Edi Rama premtoi nga Gjirokastra se do angazhohet për liberalizimin e vizave me BE-në që vitin e parë të mandatit. Këtë deklaratë kryetari socialist e bëri gjatë mitingut të zhvilluar në qytetin e Gjirokastrës. Mitingu u zhvillua në bulevardin kryesor të qytetit dhe në të Rama shoqërohej nga kandidatët për deputetë të PS-së në Qarkun e Gjirokastrës, Arta Dade, Vangjel Tavo, Et’hem Ruka, Elvira Shapllo, Kristaq Kristani, drejtues të PS-së lokale etj. “U bënë 18 vjet që politika e vjetër e të shkuarës na premton një Shqipëri pa viza, u bënë 18 vjet, që emigrantët nuk hyjnë e nuk dalin dot nga Shqipëria si të duan dhe kur duan dhe familjarët e tyre jo e jo. Sali Berisha premton përsëri se do të heqë vizat, ndërkohë që sot Shqipëria ka ngelur e vetme, jashtë programit të liberalizimit të vizave, jo për faj të shqiptarëve e shqiptareve, që e meritojnë si të gjithë qytetarët dhe qytetaret e Evropës, që e meritojnë të lëvizin lirisht, as për faj të Evropës që e mirëpret çdo shqiptar në gjirin e vet, në rast se këtu do të ketë shtet, në rast se këtu do të ketë një qeveri, e cila do të plotësojë ato kushte që nuk i plotëson dot qeveria e Sali Berishës dhe vetë ky kryeministër i dështuar, i cili e kthyer qeverinë në një biznes familjar”, tha Rama. Kryesocialisti u shpreh më tej se “unë sot nuk ju premtoj po angazhohem solemnisht përpara jush se vitin e ardhshëm çdo shqiptar dhe shqiptare do të hyjë dhe do të dalë lirisht nga Shqipëria dhe për familjet e ndara nga kufij të pambyllur nga paaftësia dhe korrupsioni i Sali Berishës nuk do të ketë më kufij as për në Greqi, as për Itali, as për gjithë Evropën”. Kreu socialist duke prezantuar programin socialist u shpreh se: “PS është e angazhuar të hapë vende të reja pune, duke nxitur punësimin dhe prodhimin vendas dhe që nuk do ti lërë të gjithë ata sipërmarrës dhe sipërmarrëse, që me talentin dhe me mundimet e tyre, mundohen të ndihmojnë të tjerët duke u dhënë punë në mëshirë të fatit siç i ka lënë Sali Berisha dhe qeveria e tij duke pasur këtu parasysh që të gjithë po në mënyrë të veçantë industrinë e fasoneve këtu në Gjirokastër”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›