Meta: LSI garanton të majtën progresiste
Data 28 qershor është një ditë shumë e rëndësishme, sepse do të sjellë në pushtet një mazhorancë të re progresiste dhe të majtë. Kjo ishte deklarata e bërë dje nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një takimi me banorë të njësive bashkiake në Tiranë. Meta u shpreh i bindur se suksesin e së majtës do e garantojë LSI si forca më koherente dhe më e qartë për të zgjidhur problemet më të mëdha që ka vendi. "Si forca e vetme që ka një program të qartë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike, si forca më e qartë që ka një program konkret për të punësuar 100 mijë shqiptarë", tha ai. Vendi ka nevojë për një lidership të provuar, tha ai, sepse po kalon një situatë krize ekonomike, e cila mund të thellohet edhe më tej dhe unë jam i bindur se Tirana dhe e gjithë Shqipëria, do të votojë për LSI dhe Ilir Metën. Kreu i LSI theksoi se nuk mund t‘i zgjidhin hallet dhe shqetësimet e shqiptarëve të thjeshtë politikanë që janë mësuar vetëm të fitojnë nga politika.