Topalli: Të unifikojmë politikat për fëmijët në rajon
Unioni Ndërparlamentar (IPU) nisi dje punimet në Tiranë për një konferencë dyditore ku në qendër ishte roli i parlamenteve në rajon për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga dhuna. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha në këtë konferencë se vendet e rajonit duhet të unifikojnë strategjitë e tyre për mbrojtjen e fëmijëve. Ajo tha se fëmijët duhet të kenë një mbrojtje të veçantë ndaj dhe këto vite janë miratuar disa ligje për mbrojtjen e tyre. “Unë ju ftoj sot të krijojmë një rrjet rajonal për mbrojtjen e fëmijëve. Të koordinojmë politikat e strategjitë. Nëse ne punojmë për të mirën e fëmijëve, atëherë kemi bërë më të mirën për gjithë njerëzimin”, - tha Topalli. Duke folur për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në fushatën kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe kundër dhunës në familje, kryetarja e Kuvendit tha se vetëm gjatë periudhës 2005–2007 janë nënshkruar dhe ratifikuar 14 marrëveshje dhe konventa për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në fushat e drejtësisë, kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjes së viktimave fëmijë, të trafikimit. “Shumë shpejt do të ratifikohet Konventa e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual dhe abuzimi seksual. Këto çështje do të gjejnë zgjidhje nëpërmjet hartimit të një ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, proces i cili sapo ka filluar, në përshtatje me standardet ndërkombëtare dhe të BE-së”, - tha më tej Topalli. Sekretari i Përgjithshëm i IPU-së, Anders Johnss, u shpreh se fëmijët duhet të jenë më afër politikanëve dhe të dëgjohen për dëshirat e tyre. "Vlerësoj iniciativën e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë për mbajtjen e seancave të hapura me fëmijët, ku ata pyesin dhe informohen për të drejtat e tyre dhe funksionimin e parlamentarizmit në tërësi. Hartimi i ligjeve për mbrojtjen e fëmijëve do të kishte kuptim vetëm nëse ju dëgjoni fëmijët. Kjo nënkupton informimin e tyre për ligjet që janë në diskutim dhe t’i ftosh ata të kontribuojnë në këtë debat. Parlamenti i Shqipërisë po e bën këtë në mënyrë të suksesshme", - tha Johnss. Sekretari i Përgjithshëm i IPU-së, Anders Johnss, vuri theksin tek rëndësia e punës së legjislativit në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve. Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri tha në fjalën e tij në këtë konferencë se duhet gjetur një harmoni në strategjitë e vendeve. “UNICEF-i po punon ngushtësisht me Kuvendin e Shqipërisë dhe ka gjetur mbështetjen e plotë të kryetares së Kuvendit në mbrojtjen e fëmijëve. Ne mendojmë se mbrojtja e të drejtave të tyre kërkon një koordinim harmonik mes komunitetit të prindërve, niveleve të ndryshme të pushteteve, shoqërisë civile dhe të gjithë aktorëve të tjerë”, - deklaroi përfaqësuesi i UNICEF-it. Gjatë kësaj konference Avokati i Popullit Dobjani ngriti ndër të tjera dhe problemin e trajtimit të minorenëve në sistemin e burgjeve shqiptare, ku theksoi nevojën e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave legjislative në këtë drejtim. Në sesionet e punimeve të ditës së parë e morën fjalën zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zajmi, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi.