E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ruçi: Në qeveri me forca të majta dhe të qendrës

24/04/2005  PS do të bëjë koalicion pas zgjedhjeve dhe me LSI dhe me PBDNJ

Qeveria e ardhshme për Partinë Socialiste do të ndërtohet në bazë të një bashkëpunimi me partitë e qendrës dhe me ato të majta. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, ka theksuar në një prononcim të tij se forca e tij politike është e gatshme që, pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme, të ndërtojë qeverinë në bazë të rezultateve që forcat kanë marrë nga votimi i elektoratit shqiptar. Aktualisht, socialistët kanë zhvilluar disa bisedime me përfaqësues të partive aleate të majta, për të bashkërenduar veprimtarinë e tyre zgjedhore për fitoren e së majtës. Pas vendimeve që do të nxjerrë dhe Kongresi Elektoral i PS-së në datën 5 maj, krerët e mazhorancës do të jenë më të qartë në qëndrimet ndaj aleatëve të tyre tradicionalë. Në këtë bashkëpunim me socialistët mund të priten dhe afrime të forcave të tjera të majta, gjë për të cilën në shumë deklarata përfaqësues të PS-së janë shprehur të hapur.

Deklarata

Partia Socialiste ka si objektiv të saj që në 100 zonat elektorale të vendit të dalë forca fituese. Sipas numrit dy të PS-së, Gramoz Ruçi, “objektivi është që në 100 zona elektorale të jemi partia fituese, pra partia mazhoritare, nga parti qeverisëse, ashtu sikurse të rikonfirmojë që PS-së së bashku me aleatët e saj tradicionalë do të vazhdojmë si aleancë dhe jo si koalicion në këto zgjedhje dhe pasi të marrim verdiktin, që do të japë elektorati shqiptar me këdo parti aleate të deritanishme tradicionale, dhe ato që do të rezultojnë fituese nga zgjedhjet e vitit 2005, ne jemi të hapur për bashkëqeverisje si me ish-aleatët tanë, edhe me ndonjë parti tjetër, që është e qendrës dhe e qendrës së majtë në Shqipëri”. Pavarësisht kësaj deklarate të Ruçit, aktualisht forcat e majta ende nuk kanë zyrtarizuar ndonjë planprojekt për të përgatitur terrenin për bashkëpunim pas zgjedhjeve. Të gjitha partitë e spektrit të majtë do të dalin të vetme në zgjedhjet e përgjithshme dhe e vetmja mundësi bashkëpunimi me PS-së është shkëmbimi i votave mes tyre për të siguruar në këtë mënyrë deputetë në mazhoritar për socialistët dhe përqindje në proporcional për aleatët. Kjo formulë është cilësuar dhe si një megadushk.

Reagimi

Taktika elektorale, që Partia Socialiste pretendon të realizojë në zgjedhjet e përgjithshme për mazhorancën parlamentare, duke shkëmbyer vota mes saj dhe aleatëve. Kjo është cilësuar nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së si diçka ligjore. Ndërkohë që vetëm tri ditë më parë Instituti Demokratik Ndërkombëtar ka kritikuar taktikën që socialistët kërkojnë të fitojnë zgjedhjet, duke e cilësuar si një “minim i parlamentarizmit në Shqipëri”. Megjithatë, Ruçi thekson se mazhoranca do të zbatojë të gjitha ato taktika që nuk bien në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, për të fituar zgjedhjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›