Zgjedhjet, qeveria u jep 65 milionë lekë 45 partive
BLEDAR HOTI
Për fushatën zgjedhore të 28 qershorit, Kuvendi i jep 45 partive politike të regjistruara 65 milionë lekë të reja. Ky ka qenë vendimi i mbrëmshëm i marrë nga ana e Kuvendit në lidhje me shpërndarjen e fondit publik për subjektet zgjedhore për zgjedhjet e 28 qershorit. Pika e parafundit e axhendës së punimeve parlamentare ka qenë projektvendimi i Kuvendit, për ndarjen shumës në fjalë. Pro shumës së paraqitur nga kryeparlamentarja Topalli votuan 76 deputetët e maxhorancës. Topalli theksoi se, “në mbështetje të neneve 78 të Kushtetutës dhe të nenit 87, pika e parë e Kodit Zgjedhor, Kuvendi vendosi që sasia e fondeve që do t’u shpërndahen subjekteve zgjedhore për vitin 2009 është 65 milionë lekë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”. Gjysma e fondit, 32.5 milionë lekë, ndahen mbi bazën e mandateve parlamentare, çka do të thotë se pjesën më të madhe e marrin PD dhe PS. Pas kësaj procedure detyruese, KQZ-së i lind e drejta të realizojë shpërndarjen e fondit të akorduar tashmë. Mbi bazën e nenit 87 të Kodit, pjesën më të madhe të shumës e marrin partitë parlamentare. “Sasia e fondeve publike që i shpërndahet secilit prej subjekteve zgjedhore caktohet me vendim të KQZ-së, sipas rregullave të mëposhtme: a) 50 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse. Kjo shumë u jepet këtyre partive politike nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë pas regjistrimit të tyre si subjekt zgjedhor dhe paraqitjes së listës shumëemërore për çdo zonë zgjedhore. Shuma shpërndahet mbi bazën e numrit të mandateve të fituara në zgjedhjet për Kuvendin”, thuhet në pikën 2 të nenit 87. Ndërsa në pikën b të po këtij neni sanksionohet se “50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 2 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare, sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse”.