E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Mazhoranca, asnjë dëm nga aksioni i PS-së

Qëndrimi Kreu i LSI-së, apel për nisjen e reformës zgjedhore

Kushtëzimi nga Partia Socialiste i reformës zgjedhore me transparencën e zgjedhjeve humbet vlerën e presionit politik ndaj aleatit të Sali Berishës, Ilir Meta. Ky i fundit, duke folur dje në një konferencë për shtyp pas takimit me ambasadorin spanjoll, Manuel Montobio, ka bërë të qartë se nëse PS nuk do të pranojë përmirësimin e Kodit Zgjedhor, atëherë zgjedhjet lokale do të zhvillohen me kuadrin ligjor në fuqi. “Ne mendojmë që kodi ka nevojë për përmirësime, por kjo nuk do të thotë se në rast se nuk ka një vullnet politik, nuk do të bëhen zgjedhje në Shqipëri, sepse në fund të fundit, Shqipëria ka një kod elektoral, të cilin ne nuk e kemi votuar, por që ka marrë 130 vota. Ky ka qenë kodi më konsensual për sa u përket votave në Parlament”, deklaroi zv.kryeministri dhe ministër i Jashtëm, Ilir Meta. Si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ai ka bërë thirrje për bashkëpunim në funksion të realizimit të reformës zgjedhore në vend, e cila ka lindur si kërkesë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Por Meta ka kërkuar nga opozita që të marrë pjesë në miratimin e reformave të tjera në vend, të cilat sipas tij nuk ndihmojnë qeverinë, por integrimin e vendit. “Të deklarosh se nuk do të votosh më asnjë ligj, asnjë ligj që i shërben integrimit europian të vendit, ky nuk është një dëm që i bëhet qeverisë, sepse qeveria, sikurse të gjithë e dinë, me 71 vota është e blinduar në funksionimin e saj, në mënyrë të veçantë falë ndryshimeve kushtetuese që u bënë natën e 21 prillit. Por të kontribuosh në mënyrë negative, të mos votosh ligjet që i duhen integrimit të vendit, që i duhen biznesit, që i duhen transparencës, që i duhen funksionimit më të mirë të drejtësisë, ky është një veprim krejtësisht destruktiv”, theksoi zv.kryeministri dhe ministër i Jashtëm shqiptar. Me një përgjigje për lëvizjet e fundit të opozitës për bojkot të votimeve në Parlament, ai ka rikonfirmuar kohezionin e koalicionit qeverisës, i cili ndihmohet në funksionimin e vet edhe nga ndryshimet kushtetuese ideuar nga PS-ja. Por apeli ndaj kësaj të fundit për pjesëmarrje në reformën zgjedhore është lidhur edhe me mundësitë që ofron përmirësimi i kodit në realizimin e transparencës së 28 qershorit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›