PD-ja: “Rama ka frikë nga hetimi ndërkombëtar”
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, është shprehur dje se opozita e kundërshton hetimin nga ndërkombëtarët për shkak se i trembet vendosjes së këtij standardi në Shqipëri. Sipas Patozit, hetimi ndërkombëtar i kërkuar nga qeveria do të jetë transparent dhe i pavarur, dhe këtë hetim duhej ta kërkonte opozita e para, dhe jo ta kundërshtonte atë. “Është e pashpjegueshme sesi opozita i trembet dhe lideri i saj i fshihet një hetimi ndërkombëtar të cilin opozita duhet ta kërkonte. Pasi një hetim ndërkombëtar do të thotë që t’i rrisë kredibilitetin hetimit dhe profesionalizmin atij. Ajo që po kërkon qeveria është një sfidë e pastër politike, por edhe teknike. Pra i thuhet opozitës që të gjitha pretendimet e tua, në rast se një për qind qëndrojnë, do të hetohen nga një trupë hetuesish, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, që do ta bënte më atraktive rezultatin e hetimit, por dhe më të shpejtë. Por, me sa duket, zoti Rama ka frikë se mos përsëritet rasti Trebicka, përfshirja e një eksperti amerikan në të cilin solli rezultatin e padëshiruar nga zoti Rama. Rama ka frikë përfshirjen e hetuesve të huaj, pasi i druhet vendosjes së një standardi që mund t’i krijojë atij shumë andralla për shkak të aferave të vjetra dhe të reja”, - është shprehur kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së. Ai gjithashtu sqaroi se hetimi i ndërkombëtarëve do t’i bashkëngjitet hetimit të prokurorisë. Pra një grup hetuesish ndërkombëtarë do të bashkëpunojnë me hetuesit shqiptarë. Ndërsa nisma tjetër e maxhorancës është ngritja e një komisioni të posaçëm hetimor parlamentar, që do të nxjerrë përgjegjësit e konfliktit institucional.
15 Tetor 2008