E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizohen 195 banesa të përndjekurve e 1300 familje

 

Fabiola Çela

Qeveria ka miratuar dje vendimin që i hap rrugë privatizimit të banesave të familjeve të ish të përndjekurve politikë. Bëhet fjalë për ato godina që dikur i përkisnin ish kombinatit të tekstileve, të ndërmarrjes mekanike tekstili dhe ish shkollës së partisë.
Vendimi
 “Janë rreth 1300 familje, të cilave iu privatizohen banesat në Kombinat dhe tek ish-shkolla e Partisë”, tha dje gjatë mbledhjes së qeverisë Kryeministri Sali Berisha. Konkretisht Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin “Për kthimin në fond banesash të disa objekteve të ish-kombinatit të Tekstileve, në Tiranë, të Ndërmarrjes mekanike-tekstili, Tiranë, dhe të ish-shkollës së Partisë, Tiranë”, në të cilat aktualisht banojnë 195 familje që i përkasin shtresës së ish të përndjekurve politikë. Në bazë të këtij vendimi, këto objekte do t’i kalohen Entit Kombëtar të banesave, për fond banesash dhe privatizim, si zgjidhja më e mirë në ndihmë të këtyre familjeve, pasi këto godina e kishin humbur prej kohësh funksionin, për të cilin ishin ndërtuar. Sipas vendimit të qeverisë, Enti Kombëtar i banesave të bashkëpunojë me ish-Kombinatin e Tekstileve të Pambukta, Tiranë, me Ndërmarrjen Mekanike-Tekstili, Tiranë, dhe njësinë bashkiake nr.11, Tiranë, për saktësimin e listave përkatëse. Po dje qeveria miratoi vendimin për kalimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, për Entin Kombëtar të Banesave, të objekteve të ish-qytetit të nxënësve, pranë Shkollës së Mesme Teknologjike, Tiranë, (ish-shkolla e mesme bujqësore, ish-konvikti i ndërtimit, ish-shkolla e ulët e ndërtimit), sipas formularit dhe planimetrive, që i bashkëlidhen këtij vendimi për privatizimin e tyre, në favor të banorëve të pastrehë që banojnë në këto ndërtesa. Sipas vendimit të qeverisë do të jetë Enti Kombëtar i Banesave që të lidhë kontratat e privatizimit me banorët e pastrehë, sipas kushteve të privatizimit, të përcaktuara me udhëzim të veçantë të Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

Berisha: Letrat me vlerë po rikthehen

Kush ka letra me vlerë mund t’i përdorë ato për pagesën e legalizimit të objekteve. Vendimi i marrë pak ditë më parë nga qeveria është pritur pozitivisht nga qytetarët. “E vërteta është që procesi i legalizimit po shkon drejt fazës më të shpejtë, pasi të përgatitura për proces janë mbi 150 mijë objekte. Në çdo mbledhje qeverie do të ketë disa mijëra. Angazhimi letrave me vlerë në këtë treg është pritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët, të cilët i kanë këto letra në xhep dhe tani kanë mundësi t’i shesin në treg të leverdishëm, sikundër është pritur shumë mirë edhe nga ata që do të legalizojnë shtëpitë e tyre, pasi kjo përbën një zbritje të qartë në çmimin e tyre” u shpreh dje gjatë mbledhjes së qeverisë Kryeministri Sali Berisha. Legalizimi i ndërtimeve pa leje ka qenë një ndër premtimet elektorale të qeverisë demokrate. Deri më tani qeveria ka miratuar një numër të konsiderueshëm ndërtimesh informale.

PER TE LEXUAR LISTEN E PLOTE SHKARKONI GAZETEN NE VERSION PDF

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›