Xhaçka: Të dorëhiqet drejtori i QKR, manipuloi letrat në interes të Bregut

Tiranë, 31 Gusht, NOA Selia rozë ka vijuar edhe ditën e sotme akuzat publike ndaj ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, për lejet koncesionare të hidrocentraleve që ka përfituar kunati dhe bashkëshorti.
Ka qenë deputetja socialiste, Olta Xhaçka, e cila ka sulmuar drejtorin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, duke i kërkuar menjëherë të japë dorëheqjen, pasi sipas saj, ai ka manipuluar dokumentat e shoqërisë që administrohej nga Namik Ajazi, në interes të bashkëshortes së tij, Majlinda Bregu.
Ju drejtor i QKR-së, së pari duhet të kuptoni mirë pozicionin e zyrtarit që mbartni mbi supe. Fakti që jeni emëruar drejtor nga Ministri i Ekonomisë, njëherazi koleg i ministres Bregu, nuk ju jep asnjë të drejtë as ju që të manipuloni dokumentacionet zyrtare, dhe aq më pak ministres Bregu që t'ju japë urdhra, akuzoi publikisht Xhaçka.
Duke shtuar se fakti që prokuroria ende nuk ka mbërritur në zyrën e këtij zyrtari, nuk duhet ta bëjë të ndihet i fortë në pozitat që ka.
Zoti drejtor, institucioni që ju drejtoni është kapur kryekëput nga familja në pushtet. Kompania MIA International në datën 27 gusht 2010 figuronte me status aktiv, me ortak dhe administrator bashkëshortin e Majlinda Bregut.
Papritmas, dje, e njëjta kompani figuroi fillimisht me një ortak mangut e pa administrator, dhe vetëm 50 minuta më pas, statusi i saj u kthye nga aktive në të pezulluar. Këto janë dokumentat që e provojnë këtë fakt. Bëni mirë të mos mbroni të pambrojtshmen, por të jepni dorëheqjen për të shpëtuar nderin tuaj personal, pasi morali i kësaj qeverie ka marrë fund me kohë, tha më tej Xhaçka.
n.e/NOA