E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj në Korçë: “Numri 31 jo thjesht numër fati, ne dimë ta ndërtojmë vetë fatin tonë”



Kryetari i Partisë G99, Erion Veliaj, ka marrë pjesë në një takim të zhvilluar në qytetin e Korçës, ku ai ka prezantuar kandidatin e G99-s në këtë qytet. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Veliaj i ftoi shqiptarët që në zgjedhjet e 28 qershorit të votojnë për numrin 31 në fletën e votimit, numër në të cilin është renditur Partia G99. Veliaj tha se ky numër nuk është thjesht një numër fati, por edhe shprehje se të rinjtë dinë ta ndërtojnë vetë fatin e tyre. “Dikush më tha, do të votoj për ju sepse dhe numri që ju ka rënë në fletën e votimit është numër me fat. Përgjigjja jonë është, votoni për ne jo sepse numri 31 është numër me fat, por pikërisht sepse ne të rinjtë me votën tonë do të dimë të kërkojmë dhe të ndërtojmë fatin tonë, të jemi të suksesshëm, t’i japim fund tranzicionit”, - tha Veliaj. Veliaj theksoi se të rinjtë shqiptarë që votojnë këtë vit për herë të parë përballen sërish me të njëjtën alternativë të 18 viteve më parë dhe është koha për të zgjedhur ndryshe.

Milo në Gjirokastër: “Duke votuar për PDS-në, votohet për një qeverisje të aftë”

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, gjatë turit të tij elektoral zhvilloi një takim në qytetin e Gjirokastrës me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie. Milo prezantoi kandidatët e PDS-së në qarkun e Gjirokastrës, lista e të cilëve kryesohet nga Asim Peta. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, kreu i Partisë Demokracia Sociale ftoi elektoratin shqiptar që më 28 qershor të votojnë për numrin 24 në fletën e votimit. Milo tha se duke votuar për PDS-në, votohet për një qeverisje të re, të aftë, e cila do të punojë për të ardhmen e shqiptarëve. “Demokracia Sociale është e angazhuar që së bashku me partnerët e tjerë politikë ta zëvendësojë qeverisjen e Sali Berishës me një qeverisje të re, me një qeverisje të aftë, e cila do t’u japë shqiptarëve shpresë për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme europiane, sepse ata e meritojnë një të ardhme të tillë, ata e kanë ëndërruar një të ardhme të tillë, dhe ne ua kemi borxh që t’ua japim këtë të ardhme shqiptarëve”, - tha Milo.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›