E Shtunë, 31 Tetor 2026

Noka në Kukës: “Mandatin e dytë do të shumëfishojmë investimet në qark”



Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Kukësit, Flamur Noka, deklaroi se në mandatin e dytë do të shumëfishohen investimet në këtë zonë dhe se çdo komunë do të afrohet 15 minuta me akset kryesore. “Këto investime do të ndikojnë drejtpërdrejt në punësimin dhe në zhvillimin e të gjithë zonës në verilindje të vendit”, - tha Noka. Në bashkëbisedimet me banorët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës, Noka tha se “e majta po përpiqet të errësojë arritjet e qeverisë, por kjo është pjesë e politikës së një disfate të paralajmëruar”. “E majta vazhdon të shpif dhe përpiqet të errësojë arritjet e qeverisë demokratike, por kjo është pjesë e dëshpërimit që ka kapur gjithë këtë shpurë politike”, - tha Noka.

Olldashi në Lushnjë: “Do të fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës Konjat-Pezë-Tiranë”

Në vazhdim të turit të tij elektoral, kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, zhvilloi disa takime me banorë të lagjeve “Teqe”, “Saravë” dhe “Karbunarë” në Lushnjë. Gjatë fjalës së tij Olldashi theksoi se një pikë e rëndësishme e programit të Partisë Demokratike për këtë mandat të dytë do të vazhdojë të jetë zhvillimi i infrastrukturës rrugore. “Do të mbajmë të njëjtin ritëm investimesh, por duke qenë se akset kombëtare po përfundojnë së ndërtuari, në këtë zonë ka mbetur vetëm një, që do ta fillojmë në vjeshtë; rruga nga Konjati në Pezë dhe Tiranë. Do t’u kthehemi rrugëve dhe rrugicave të brendshme të qyteteve tona, për të asfaltuar çdo rrugë, çdo rrugicë, për të çuar asfalt në çdo portë”, - është shprehur Olldashi.

Kandidatët e PD-së së Tiranës zhvillojnë një miting në Farkë

Kandidatët e Partisë Demokratike për Tiranën, Gent Strazimiri, Majlinda Bregu, Rajmonda Bulku, Lajla Pernaska, Viktor Gumi dhe Taulant Bino, zhvilluan një takim me banorë të komunës Farkë dhe Njësisë Nr.2 në kryeqytet. Zv/ministri i Brendshëm, Strazimiri, falënderoi banorët për pjesëmarrjen, entuziazmin dhe mbështetjen që i japin gjithmonë Partisë Demokratike, duke i ftuar të marrin pjesë masivisht në votime më 28 qershor dhe të zgjedhin Nr.10, që sipas tij, është notë e merituar për qeverinë “Berisha”. “Pjesëmarrja dhe entuziazmi juaj na dëshmon se Farka ka nisur festën e fitores së Partisë Demokratike dhe të Sali Berishës; këto katër vjet arritëm të bëhemi anëtarë të NATO-s, do të vazhdojmë së bashku edhe për 4 vitet që vijnë, për të përmbushur brenda vitit 2013 misionin për një Shqipëri europiane dhe lëvizjen pa viza në Europë”, - tha Strazimiri.

Basha në Fushë Mbret: “Procesi i legalizimeve do të përfundojë shumë shpejt”

Kandidati i Partisë Demokratike, kryesues i listës në qarkun e Elbasanit, Lulzim Basha, tha në një takim me banorët e lagjes “Fushë Mbret” se pavarësisht pengesave që i nxorën socialistët procesit të legalizimit, ai do të mbyllet shumë shpejt. Basha premtoi furnizimin me ujë, rikonstruksionin e rrjeteve të kanalizimeve dhe asfaltim të rrugëve e rrugicave. “Sali Berisha dhe Partia Demokratike besuan në legalizimin pastaj urbanizimin. Pavarësisht pengesave që na vunë deri në Gjykatën Kushtetuese ne jemi në përfundim të këtij procesi dhe këmbëngulëm sepse e dinim që është dëshira e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që presin me padurim përfundimin e procesit të legalizimit, për të cilin ne do të zotohemi se do të përfundojë brenda një kohe shumë të shkurtër”, - tha Basha.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›