E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në zonat informale të Tiranës: “Brenda mandatit të parë zgjidhim çështjen e legalizimeve”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje takime në zonat informale të kryeqytetit, si Kodra e Priftit, Sauk dhe Shkozë. Kryesocialisti Edi Rama ka zhvilluar takime të shumta me banorë të këtyre zonave dhe gjatë fjalës së tij ai është ndalur kryesisht në çështjen e legalizimit të banesave informale. Rama tha se në rast fitoreje, qeveria e drejtuar prej tij do të zgjidhte përfundimisht çështjen e legalizimeve brenda mandatit të parë qeverisës. Rama premtoi gjithashtu furnizim 24 orë me ujë të pijshëm dhe përshpejtim të transformimit dhe zhvillimit të Tiranës. “Arsyeja pse unë kam vendosur që të jem në këtë garë dhe që të kandidoj për të qenë kryeministri i Shqipërisë, duhet ta besoni, lidhet në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë edhe me të gjitha ato pamundësi që unë kam konstatuar ndër vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës në nivelin lokal, duke kuptuar që shumë nga ato probleme, që janë në dukje lokale, në fakt janë probleme që kanë të bëjnë me politikën kombëtare. Shumë nga ato probleme, që janë në dukje probleme komunitare, janë në fakt probleme që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me politikën qeveritare. Dhe pa pasur mundësinë që ta transformojmë politikën kombëtare, politikën qeveritare, politikën që bën në çdo sektor qeveria, ne nuk mund të zgjidhim problemet me karakter lokal. Unë angazhohem përpara jush për këto tri gjëra: E para, për legalizimet. Ne do t’i kryejmë brenda mandatit tonë të parë dhe do t’i japim fund ankthit të të gjithë atyre njerëzve të ardhur apo që janë këtu prej kohësh, të cilët kanë ndërtuar me gjak një strehë për familjen e tyre të varfër. E dyta, do t’i japim fund etjes së Tiranës dhe do të kemi 24 orë ujë në të gjithë Qarkun e Tiranës. E treta, do të bëjmë për Tiranën aq sa nuk kemi bërë në këto 8 vite, që në fakt kanë qenë 8 vite të një pune model dhe të një transformimi që e ia ka zili e gjithë Shqipëria. Do ta spostojmë modelin e Tiranës në të gjithë Shqipërinë dhe për Tiranën do të bëjmë shumë më tepër”, - tha kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›