E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Nano president? Është ende herët për të folur

Kryetari i LSI për sistemin: “Ne besojmë se modeli i importuar spanjoll nuk është një model i përshtatshëm për të respektuar atë parim kushtetues të barazisë së votës së qytetarëve shqiptarë”

TIRANË Kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi dje se është ende herët për të folur për presidentin e ardhshëm teksa u pyet mbi ambicien e ish-kryeministrit Fatos Nano për të garuar për postin e kreut të shtetit në vitin 2012. “Dëshiroj të theksoj se vitin e ardhshëm nuk është çështja e presidentit më e rëndësishmja. Viti i ardhshëm është një vit i jashtëzakonshëm për të gjithë vendin dhe kombin tonë. Është viti i 100-vjetorit të Pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar. Ndaj nuk dëshiroj t’i jap më shumë rëndësi se sa i takon çështjes së presidentit, aq më tepër kur jemi ende shumë herët për të folur për këtë çështje dhe ku natyrisht është një president tjetër në mandatin e tij. Lëvizja Socialiste për Integrim, për këtë çështje, në kohën e duhur do të mbajë qëndrimin e saj dhe natyrisht do të konsultohet edhe me Partinë Demokratike, edhe me forca të tjera politike, bazuar edhe në marrëveshjen e kësaj qeverie koalicioni”, - tha dje Meta. Kryetari i LSI-së nuk i dha një përgjigje konkrete edhe pyetjes nëse do të rikthehej si ministër në qeveri në rast se Gjykata e Lartë e shpall të pafajshëm. “Mendoj se kjo është një çështje fare e parëndësishme. Pranvera e vitit të ardhshëm është shumë e rëndësishme për Lëvizjen Socialiste për Integrim, pasi do të mblidhet Konventa e saj Kombëtare Zgjedhore dhe në këtë drejtim të gjitha energjitë e mia i janë përkushtuar ripërtëritjes dhe dinamizmit të mëtejshëm të LSI-së, jo vetëm në planin organizativ dhe strukturor, por edhe në planin politik e programor”, - tha ai. Kryetari i LSI-së komentoi dje edhe qëndrimin e partisë që ai drejton lidhur me reformën zgjedhore dhe debatin kryesor për ndryshimin ose jo të sistemit zgjedhor. “Qëndrimi ynë është tepër parimor dhe konsistent. Ne besojmë se modeli i importuar spanjoll nuk është një model i përshtatshëm për të respektuar atë parim kushtetues të barazisë së votës së qytetarëve shqiptarë. Ndaj ne do të insistojmë për të diskutuar edhe vetë çështjen e sistemit. Ne nuk dëshirojmë të vëmë kushte, por është e domosdoshme që të kemi një sistem më demokratik, më përfaqësues, më të drejtë dhe që nuk synon thjesht të shkojë në drejtimin e interesave të forcave të caktuara politike, por që synon të rrisë besimin e qytetarëve shqiptarë tek vota e tyre dhe në radhë të parë tek barazia e kësaj vote”,- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›