Meta: Ndërkombëtarët kërkojnë ndryshimin e kodit
Një vit me Partinë Demokratike në qeveri është konsideruar si mjaft frytdhënës nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Gjatë mbledhjes së Kryesisë së saj të zhvilluar dje, kreu Ilir Meta ka nënvizuar si të suksesshëm koalicionin me PD-në, duke nënvizuar se në vetvete ai përfaqëson një risi për politikën shqiptare. Pavarësisht këtij hapi përpara, sipas Metës mbetet ende një detyrim që duhet përmbushur dhe që lidhet me reformën zgjedhore. “Ne shpresojmë që të gjithë ata që e kanë vërtet të sinqertë kërkesën për transparencë, të bashkohen në përpjekjet tona për ta reformuar më tej sistemin zgjedhor. Sepse ne e kemi shprehur prej kohësh, që pavarësisht nga vlerësimi i lartë që u bëri komuniteti ndërkombëtar zgjedhjeve të shkuara, përsëri ato kishin problemet e tyre, ashtu si edhe vetë kodi konsensual PS-PD, nuk ishin perfekt”, deklaroi Meta. Kështu ai ka vënë në dukje një problem të hapur në marrëdhëniet me PD, por që zgjidhja e të cilit varet edhe nga opozita socialiste. Tipari elektoral ka përshkruar edhe mbledhjen e Kryesisë, e cila ka zyrtarizuar kandidaturat për degën e Tiranës dhe që janë Edmond Panariti dhe Shezai Rrokaj.
#