E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Në 28 qershor nxjerrim në pension Berishën

 

Kreu i LSI-së gjatë një takimi me popullin e Gramshit tha se: “votat që ne kërkojmë nga populli i Gramshit dhe i gjithë Shqipërisë, do të shkojnë vetëm për një qëllim, që në 28 qershor Sali Berisha të dalë një herë e përgjithmonë në pension politik”. Kreu i LSI-së gjatë këtij takimi prezantoi dhe kandidatin e kësaj partie për deputet në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, anëtarin e Kryesisë së LSI, Dr. Enver Roshin. Kreu i LSI garantoi të pranishmit, se “ne nuk vijmë këtu as për të gënjyer dhe as për të mashtruar. Sepse, ne jemi të drejtpërdrejtë, jemi të thjeshtë, jemi të qartë dhe jemi të prekshëm. Nuk kemi ndërmend të kërkojmë vota, duke gënjyer e duke mashtruar dhe aq më tepër t’ju kërkojmë vota që ju të mos e dini se ku do të shkojnë, përtej së majtës apo përtej së djathtës. Votat që ne kërkojmë nga populli i Gramshit dhe gjithë Shqipërisë, do të shkojnë vetëm për një qëllim, që në 28 qershor Sali Berisha të dalë një herë e përgjithmonë në pension politik dhe njëkohësisht që në 29 qershor Shqipëria, jo vetëm të mos ketë Qeverinë e Sali Berishës dhe të djathtës që përfaqëson ai, që po i merr shpirtin popullit shqiptar përmes politikës së kastës, që pasuron Fazlliçët e Saliut dhe varfëron gjithë gramshiotët dhe shqiptarët, por që në 29 qershor, të jeni të bindur, se nuk do të ketë as Qeveri përtej së majtës dhe së djathtës. Por, do të ketë një Qeveri të majtë dhe progresiste”, tha Meta në takimin e djeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›