E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Ne do kthejmë në fuqi ligjin e mohuar të ushtarakëve nga Berisha

Lideri i LSI, Ilir Meta katohet me ish- ushtarakët
Lideri i LSI, Ilir Meta zhvilloi dje një takim me ish-ushtarakë, me të cilët diskutoi rreth problemeve që i shqetësojnë ata, ku më kryesori është mungesa e trajtimit ushtarak dhe financiar nga ana e qeverisë Berisha. Në fjalën e mbajtur para ish- ushtarakëve, kryetari i LSI u premtoi atyre se qeverisja e koalicionit të LSI, pas zgjedhjeve të 28 Qershorit do të vërë në zbatim ligjin që është miratuar në vitin 2005 për këtë shtresë, por që Kryeministri Berisha e shfuqizoi. Kreu i LSI dënoi këtë veprim të Kryeministrit Berisha, duke qenë se ai e votoi pro ligjin për ish- ushtarakët kur ishte në opozitë. Duke iu referuar bashkëpunimit mes LSI dhe ish- ushtarakëve, Meta tha se LSI nuk e konsideron këtë një bashkëpunim për motive politike dhe elektorale, por si një bashkëpunim që ka në bazë të tij atdhetarizmin dhe patriotizmin. Gjatë fjalës së tij përpara ish- ushtarakëve, Meta theksoi se unë kam qenë shumë i hapur për të realizuar një marrëveshje, duke qenë i bindur në drejtësinë e atyre që u takon ish-ushtarakëve dhe që u është mohuar, për fat të keq, në mënyrë krejtësisht tinëzare, jo njerëzore dhe antikushtetuese nga ana e qeverisë Berisha. Them tinëzare sepse në vitin 2005, kur u miratua ligji, PD që ishte në opozitë nuk votoi kundër, por votoi pro. Kur erdhi në pushtet e shfuqizoi, duke treguar dhe një herë tjetër atë urrejtjen e saj për ushtarakët në përgjithësi. Duke vazhduar më tej, lideri i LSI u shpreh se unë besoj se, pas 28 Qershorit, kur Berisha pa diskutim që do të shkojë në opozitë dhe do të dalë në pension, pa diskutim që do të zbatohet vendim nr. 9 i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2007. Ai tha se do të zbatohet ligji i miratuar në vitin 2005. Lidhur me zbatimin e ligjit në përkrahje të ish- ushtarakëve, Meta theksoi se është një detyrim jo vetëm kushtetues, por është një detyrim politik, një detyrim social e njerëzor, dhe një detyrim atdhetar i secilit prej nesh që është angazhuar në politikë, për arsye të atdhetarizmit dhe sakrificave që përfaqësojnë ish- ushtarakët përgjatë gjithë jetës së tyre". Duke iu drejtuar ish- ushtarakëve, Meta tha se mendoj se dinjiteti juaj dhe i gjithë shokëve tuaj nuk mundet të nëpërkëmbet dhe nuk mundet të injorohet më. Megjithatë, jam i bindur që edhe pak muaj na ndajnë nga zbatimi i këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe ne si LSI duam tju garantojmë që do ta kemi pjesë të programit tonë zbatimin e këtij vendimi. Ai vijoi se, duke u shprehur se dialogu mes gjithë ish-ushtarakëve edhe për çështje të tjera, edhe për çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare dhe integrimin do të jetë në vëmendjen tonë, pasi shumë prej jush janë në gjendje aktive për të punuar në administratë, në sektorë dhe detyra të ndryshme, që kanë afërsi edhe me profesionin dhe me eksperiencën tuaj.Meta u shpreh gjithashtu, se jemi një vit pas Gërdecit. Ju e dini mirë vendimin e LSI, që në fillimet e kësaj çështje, kemi kërkuar Komision hetimor parlamentar. Nuk na janë është dhënë firmat nga PS, u shpreh Meta. Në këtë kuadër, ai ilustroi rastin e ngritjes së komisionit hetimor në Kongresin dhe në Senatin amerikan për trafikun e armëve që u bënë në Gërdec, ku nuk u vra asnjë amerikan. Por, u shpreh Meta nuk u ngrit Komision hetimor në parlamentin e Shqipërisë, ku u vranë 26 njerëz. Sipas tij, kjo nuk është e rastësishme, ashtu siç nuk ishin të rastësishme deklaratat e Edi Ramës, pas Gërdecit. Duke u ndalur tek lideri i PS, Edi Rama, Meta u shpreh se madje dhe në Vorë, ku bëri Asamblenë e partisë së tij, ku tha që për hir të integrimit do të ecim përpara dhe se PD-PS ishte boshti i patjetërsueshëm i reformave në Shqipëri. Tani pas një viti, u shpreh Meta meqenëse është 1- vjetori i Gërdecit, a mund të më thoni çfarë reforme është bërë në Shqipëri? Çfarë ligji u bë për gjyqësorin apo prokurorinë, që nuk u kundërshtua në Gjykatën Kushtetuese, nga Shoqata e Gjyqtarëve, nga Shoqata e Prokurorëve? Çfarë forcimi i institucioneve ndodhi në vend dhe çfarë e mire i erdhi Shqipërisë nga ky bashkëpunim një vjeçar? Absolutisht asnjë.  Meta theksoi se duke qenë koherent me qëndrimet tona, jam i bindur që rruga jonë është rruga e së vërtetës, rruga e cila synon të mbrojë shqiptarët e thjeshtë, jo vetëm nga Sali Berisha dhe Gërdec- Qeveria e tij, por dhe nga çdo lloj alternative hipokrite, mashtruese dhe manipulative. Gjithashtu, lideri Meta theksoi se e majta ka nevojë për një garanci të fortë, në mënyrë që njerëzit të mos mashtrohen dhe të tradhtohen, siç ka ndodhur në të kaluarën. Prandaj është LSI dhe prandaj ne kërkojmë përkrahjen dhe mbështetjen tuaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›