Vasili: Më 15 Mars, të bashkuar nën moton Berisha ik
Më 15 Mars, koalicioni opozitar në njërën anë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nga ana tjetër do të përfshihen në një manifestim madhështor tek sheshi Nënë Tereza, me qëllimin e vetëm për ti deklaruar qeverisë Berisha largimin e saj nga pushteti. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, të cilët e ndjejnë se Berisha duhet të largohet, të bashkohen nën moton e LSI Berisha ik.
Në15 Mars ne do të drejtojmë një proteste madhështore me thirrjen Berisha ik, sepse privatizimet grabitqare qe nga ARMO e deri tek OSSH, i kanë vjedhur miliona shqiptarëve miliona që mund të zbusnin sadopak krizën, varfërinë e papunësinë, u shpreh Vasili. Sipas tij, të bashkohemi nën moton Berisha ik, sepse Shqipëria për shkak të tij është sot në konflikt me institucionet ndërkombëtare dhe po sillet me to si në kohën e diktaturës. Vasili vijoi, duke u shprehur se Berisha duhet të ikë, sepse ishte ai që shkatërroi me dorën e dhëndrit të vet në mënyrë të paligjshme dhjetëra biznese e shtëpi në bregdetin e Jalës. Berisha ik, është motoja sepse sipas Vasilit, janë të panumërta abuzimet me fondet publike të denoncuara nga dhjetëra skandale. Gjithashtu, sipas tij duhet të bashkohemi nën moton Berisha ik, sepse u tall dhe nëpërkëmbi mijëra pensionistë, shtoi papunësinë dhe varfërinë e mijëra familjeve në nevojë. Berisha ik, sepse shkeli mbi mundin dhe sakrificën e mijëra ushtarakëve që aq shumë dhanë për vendin. Berisha ik, sepse Gërdeci ishte kulmi tragjik i kësaj qeverie të dështuar e të mbuluar vetëm nga jehona dhe zhurma e skandaleve njëpasnjëshme të saj, u shpreh Vasili. Sipas tij, kjo qeverisje që po shërben vendin, është një rrezik shumë i madh për të sotmen dhe të ardhmen e tij. Vasili theksoi se qëndrimi i prerë ndaj kësaj qeverisjeje, është edhe një provë e vërtetë për çdo opozitar të vërtetë. I pyetur nga gazetarët se kjo protestë nëse do të ketë ndonjë përplasje, Vasili u shpreh se nuk ka asnjë përplasje, sepse sot ka vetëm një çështje, që Berisha të ikë. Ndaj motoja jonë është shumë e qartë, dhe ka hapur një hapësirë të gjerë që kushdo që mendon se Berisha duhet të ikë dhe nuk duhet të rri më asnjë sekondë, ka vendin e tij bosh në sheshin tonë të madh, dhe do jetë i mirëpritur. Ai bëri apel, duke u shprehur se me sinqeritet dhe tepër seriozisht ne e themi me të madhe, që ky politikan, që i ka sjellë mjaft fatkeqësi shqiptarëve duhet të iki sa më parë. Vasili vuri në dukje se vendi ndodhet në një situatë shumë të vështire ekonomike, me mijëra familje shqiptare sot luftojnë me varfërinë e tejskajshme e po mbushin listat me borxhe vetëm për të blerë bukën e përditshme, vetëm për të mbushur barkun. Kriza ekonomike botërore ka trokitur prej kohësh në vend dhe mijëra vende pune kanë humbur, mijëra të tjera janë në rrezik, ndërkohë që Sali Berisha dhe ministrat e tij për shkak të paaftësisë qeverisëse për ta zgjidhur krizën, vazhdojnë të rijnë në pushtet, duke mashtruar se nuk ka krizë apo nuk ka dhimbje nga varfëria në Shqipëri, u shpreh Vasili.