E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Ruli nënshkruan marrëveshjen e Energjisë me ministrin italian Skajola

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli dhe ministri italian për Zhvillimin Ekonomik, Klaudio Skajola, nënshkruan dje në Tiranë një marrëveshje mjaft e rëndësishme në fushën e energjetikës "Për zhvillimin dhe integrimin elektrik dhe të gazit natyror", e cila parashikon edhe bashkëpunim në linjat e interkonjeksionit. Shqipëria dhe Italia synojnë të rrisin më tej bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, ku me prioritet do të shihet partneriteti për zhvillimin e sektorit elektro-energjitik. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm, edhe zëvendëskryeministri Genc Pollo, përfaqësues të biznesit elektroenergjetik të  dy shteteve etj. Ministri Ruli, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, vlerësoi shtetin fqinjë Italinë, si partnerin dhe investitorin më të rëndësishëm për Shqipërinë. Në këtë kuadër, tha ai, marrëveshja e nënshkruar  në sektorin elekro-energjetik merr një rëndësi të veçantë për zhvillimin bashkëkohorë të këtij sistemi. Nga ana e tij, ministri Skajola u ndal në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha sferat mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe shprehën interesimin e përbashkët për thellimin dhe intensifikimin e tyre të mëtejshëm. Ai vlerësoi disa prej zhvillimeve të ekonomisë shqiptare sipas standardeve të tregut të lirë, gjë që ilustrohet edhe nga prania e madhe e mjaft sipërmarrësve të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj në vendin tonë, të cilët kanë investuar dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre në prodhimin e çimentos, tekstileve, mekanikës, dhe shprehu besimin në ecurinë pozitive të mëtejshme ekonomike të vendit, duke u bazuar në resurset ekonomike, natyrore dhe njerëzore që Shqipëria disponon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›